Presidenti Sejdiu priti drejtuesit e Luginës së Preshevës

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, priti një delegacion të institucioneve dhe të subjekteve politike shqiptare të Luginës së Preshevës, i cili përbëhej nga z. Riza Halimi, kryetar i PVD-së, z. Skender Destani, kryetar i BDL-së, z. Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanovcit, dhe z. Shaip Kamberi, kryetar i PVD-së për Bujanovc. Gjatë takimit mbizotëroi pajtimi i plotë për të gjitha çështjet që i preukupojnë sot shqiptarët si në Kosovë, ashtu edhe në Luginën e Preshevës dhe në viset e tjera.

Duke i njoftuar mysafirët për ecurinë e procesit të përcaktimit të statusit politik të Kosovës, Presidenti Sejdiu tha se institucionet e Kosovës e kanë pranuar planin e Presidentit Ahtisari, sepse ai është një dokument që i hap rrugë pavarësisë dhe prosperimit të vendit.

“Besojmë se procesi i pavarësimit dhe i njohjes ndërkombëtare të Kosovës do të përmbyllet shpejt dhe me bekimin e KS të OKB-së”, theksoi Presidenti Sejdiu. Ai, gjithashtu, i siguroi liderët e Luginës së Preshevës se udhëheqësit e Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar që shqiptarët e kësaj treve të trajtohen njësoj siç do t’i trajtojë shteti i ardhshëm i Kosovës pakicat e saj kombëtare, pra, duke u garantuar atyre të drejta me standardet më të larta  ndërkombëtare.  


Përfaqësuesit e Luginës shprehën sërish mbështetjen e tyre të parazervë për pavarësinë e Kosovës. Ata, po ashtu, kërkuan nga Presidenti Sejdiu që Kosova të vazhdojë të këmbëngulë që Serbia ta respektojë parimin e reciprocitetit në trajtimin dhe respektimin e të drejtave të ligjshme të komuniteteve pakicë.

Në fund të këtij takimi, Presidenti Sejdiu ia dhuroi z. Riza Halimit “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”, me të cilën kryetarin e PVD-së e kishte dekoruar ish-Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, më 10 qershor 2003.