Presidenti Sejdiu priti drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës

“Sportistët e Republikës së Kosovës meritojnë t’u jepet mundësia për të garuar me përfaqësuesit e vendeve të tjera të botës së lirë demokratike”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmit Sejdiu, gjatë një takimi që pati sot me z. Besim Hasanin, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, si dhe me tre nënkryetarët e këtij komiteti, z. Mexhid Devaja, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës, z. Musa Selimi, kryetar i Federatës së Vollejbollit, dhe z. Arsim Fehmiu, kryetar i Komisionit “Akademia Olimpike e Kosovës”.

Presidenti Sejdiu sërish pohoi gatishmërinë e tij të plotë për t’u ndihmuar federatave përkatëse të sportit dhe vetë Komitetit Olimpik të Kosovës në përpjekjet e gjithanshme që po bëjnë ato për afirmimin e sportit të Kosovës, si dhe për anëtarësimin e tyre sa më të shpejtë në asociacionet e sportit ndërkombëtar dhe në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik.

“Me sukseset dhe me paraqitjet e tyre dinjitoze jashtë vendit, sportistët e Kosovës kanë dhënë dëshmi të bollshme se kanë talent, dije dhe vullnet për t’u matur me sportistët e vendeve të tjera”, tha Presidenti Sejdiu, duke ripërsëritur vendosmërinë e institucioneve  të Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar sportistët tanë në përpjektet e gjithanshme për ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës.

Në këtë takim, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Besim Hasani e njoftoi Presidentin Sejdiu për punën dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet ky institucion, ndërsa z. Devaja dhe z. Selimi folën për aktivitetet e Federatës së Hendbollit dhe të asaj të Volejbollit.

Presidenti Sejdiu dhe drejtuesit e KOK-ut u pajtuan që nevojitet një bashkëpunim i shtuar i të gjitha institucioneve shtetërore e sportive në vend, me qëllim që të arrihet një mbështetjeje sa më e gjerë ndërkombëtare për sportistët e Kosovës, për federatat veç e veç dhe për vetë Komitetin Olimpik të Kosovës.