Presidenti Sejdiu priti drejtuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik

Prishtinë, 24 janar 2008 - Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, priti në një takim drejtuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, në krye me drejtorin Naser Ramadani.

Drejtori i IKSHPK-së, z. Naser Ramadani e ka njohur Presidentin Sejdiu me punën e Institutit. Ai theksoi se IKSHPK si institucion i lartë shëndetësor, profesional  dhe shkencor i Kosovës, është institucion strategjik me rëndësi të veçantë kombëtare duke pasur parasysh rolin e tij në përgatitjen dhe implementimin e strategjive dhe politikave shëndetësore, si dhe diagnostikimin  dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.

Duke e vlerësuar rolin e IKSHPK-së  në fushën e shëndetësisë, Presidenti Sejdiu theksoi se IKSHPK  ka peshën e vet të veçantë në ruajtjen e shëndetit të popullatës.

Presidenti Sejdiu shprehu besimin se IKSHPK do të ketë rolin e tij të rëndësishëm në ngritjen e cilësisë së përkujdesjes shëndetësore dhe parandalimit të sëmundjeve, si dhe zhvillimin e  punës hulumtuese-shkencore dhe ngritjen profesionale  të punëtorëve shëndetësor.

Ai premtoi përkrahjen e tij të vazhdueshme për punën dhe projektet e këtij instituti.


Drejtori Naser Ramadani në emër të IKSHPK  e uroi Presidentin Sejdiu për rizgjedhjen President i Kosovës dhe i shprehu atij gatishmërinë e plotë të IKSHPK për të bashkëpunuar në të mirë të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve  të vendit.