Presidenti Sejdiu priti ambasadorin Stojan Karajanov

Presidenti i Republikëssë Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti z. Stojan Karajanov, ambasador i Republikës së Maqedonisë në vendin tonë, i cili solli letrat kredenciale.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje, për hir të paqes, stabilitetit dhe të ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që pati sot me ambasadorin e parë fuqiplotë të Republikës së Maqedonisë në vendin tonë.

Sa u përket marrëdhënieve të ndërsjella në mes Kosovës dhe Maqedonisë, Presidenti Sejdiu vlerësoi se ato janë shumë të mira dhe do të thellohen edhe më shumë, pasi që për këtë ekziston vullneti i të dyja vendeve.

“Kosovën dhe Maqedoninë i afron edhe më shumë synimi i përbashkët për të qenë sa më shpejt anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s dhe ne na gëzon fakti që qytetarëve të Maqedonisë tashmë u është dhënë mundësia të lëvizin lirshëm, pa regjimin e vizave, në vendet e BE-së”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Ndërkaq, ambasadori Stojan Karajanov tha se do të angazhohej edhe më tej për intensifikimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve dhe se ndihej krenar që i është dhënë mundësia të jetë ambasadori i parë fuqiplotë i Maqedonisë në Republikën e Kosovës.