Presidenti Sejdiu priti ambasadorin e Norvegjisë, z. Carl Schiotz Wibye

“Qytetarët e Kosovës nuk do të harrojnë asnjëherë mbështetjen që u ka dhënë Norvegjia gjatë ditëve më të vështira për ta, kur një pjesë e tyre u detyruan ta braktisin Kosovën dhe të kërkojnë strehim në vendin tuaj”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë takimit që pati sot me shkëlqesinë e tij, Carl Schiotz Wibye, ambasador i Norvegjisë për Maqedoni dhe Kosovë, i cili, me këtë rast, solli edhe letrat kredenciale.

Duke e falënderuar ambasadorin Wibye për njohjen e pavërsisë së Republikës së Kosovës nga Norvegjia, si dhe mbështetjen që ka dhënë ky vend në Konferencën e Donatorëve për Kosovën, Presidenti Sejdiu, po ashtu, theksoi se për vendin tonë është shumë i rëndësishëm thellimi i bashkëpunimit të ndërsjellë, sidomos në ekonomi, meqenëse kjo fushë, krahas stabilitetit politik, rendit demokratik dhe sundimit të ligjit, është njëra ndër standardet e rëndësishme në procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet ndërkombëtare, veçmas në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
 
Ambasadori Carl Schiotz Wibye ripohoi përkushtimin e Norvegjisë për ta ndihmuar Republikën e Kosovës edhe në të ardhmen, duke e dëshmuar këtë përkushtim edhe me hapjen e shpejtë të Ambasadës së këtij vendi në Prishtinë.