Presidenti Sejdiu priti akademik Rexhep Ismailin, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosoves

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, priti sot Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosoves, akademik Rexhep Ismailin, i cili e përgëzoi Presidentin Sejdiu për rizgjedhjen e tij President i Kosovës duke shprehur gatishmërinë e plotë dhe përkushtimin mbështetës të ASHAK-ut për Presidentin dhe institucionet e tjera të Kosovës dhe për bashkëpunim të thellë të ndërsjellë.

Me këtë rast, akademik Rexhep Ismaili i dorëzoi Presidentit Sejdiu disa nga botimet më të reja të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës nga fushat e ndryshme të dijes.

Presidenti Sejdiu e falënderoi akademik Rexhep Ismailin për bashkëpunimin e ngushtë që ka me të dhe me Akademinë dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi, si dhe e siguroi atë për mbështetjen që institucionet e Kosovës do t’i japin Akademisë së Shkencave dhe Arteve, po edhe institucioneve të tjera të larta të dijes.