Presidenti Sejdiu prit shefin e ri të Zyrës së Austrisë në Prishtinë, z. Gernot Pfandler

“Roli konstruktiv i Austrisë dhe mbështetja e saj kanë qenë dhe mbeten shumë të rëndësishme për Kosovën, e cila i është mirënjohëse qeverisë austriake për angazhimin e përhershëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, tha Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë takimit të parë me shefin e ri të Zyrës së Austrisë në Prishtinë, z. Gernot Pfandler.

Pasi e njoftoi z. Pfandler për ecurinë e bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, Presidenti Sejdiu shprehu sërish përkushtimin e palës kosovare për pavarësi duke theksuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare që ka marrë ky proces gjatë gjithë kohës. Njëkohësisht, ai shfaqi bindjen se mbarimi i bisedimeve shtesë do t’i japë fund pavarësimit të vendit.  


Ndërsa, shefi i Zyrës së Austrisë, z. Pflander, tha se Austria e ka ndjekur me vëmendje procesin e deritashëm për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ai pohoi zotimin e vendit të tij për t’u angazhuar pa asnjë rezervë edhe në të ardhmen për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme, e cila do t’ia hapte Kosovës udhën e integrimit dhe të prosperitetit evropian.

Të dy bashkëbiseduesit shfaqën kënaqësinë për faktin se ekziston një gatishmëri e plotë nga të dyja vendet për ta thelluar bashkëpunimin bilateral, që me kohë do të dinamizohet edhe më shumë.