Presidenti Sejdiu përshëndeti ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu uroi Presidentin e Shqipërisë, dr. Bamir Topi, dhe Kryeministrin dr. Sali Berisha pas ftesës për anëtarësim të Shqipërisë në NATO.

Duke shfaqur kënaqësinë që Republika e Shqipërisë mori këtë ftesë të shumëpritur, Presidenti Sejdiu, në emër të popullit të Kosovës, shprehu bindjen se ky akt do ta ndihmojë stabilitetin dhe paqen në rajon, si kusht për progresin ekonomik dhe forcimin e demokracisë në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

“Ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO është mirënjohje për punën e jashtëzakonshme dhe përkushtimin e plotë të institucioneve dhe të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, me qëllim të konsolidimit politik në vend dhe plotësimit të kushteve të parashtruara për inegrim në bashkësinë e vendeve të lira e demokratike europerëndimore”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu përgëzoi edhe ftesën për anëtarësim që i është bërë Kroacisë, duke pohuar se ky vend, me luftën e drejtë për liri dhe vullnetin për ta reformuar rrënjësisht sistemin politik, ekonomik e ushtarak, ka dëshmuar se e meriton të jetë anëtar i NATO-s.

Në fund, Presidenti Fatmir Sejdiu ritheksoi vullnetin dhe përcaktimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke pohuar se anëtarësimi i vendeve të rajonit në këtë aleancë do të shërbejë si një përvojë e mirë në procesin nëpër të cilin duhet të kalojë Kosova, derisa t’i arrijë kriteret e nevojshme për të marrë ftesën e anëtarësisë.