Presidenti Sejdiu përsëritë kërkesën që Kosova të marrë pjesë në operacionet paqësore të NATO-së, qoftë edhe vetëm simbolikisht

Presidenti i Republikës së Kosovës, dhe Komandanti Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, mori pjesë në ceremoninë e gradimit të kadetëve të Qendrës për Studime Universitare – Gjenerata 2010, ceremoni që u mbajt në Kazermën e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj.

Presidenti Sejdiu, duke iu  drejtuar të pranishmëve, tha se ndihet i nderuar edhe si Presidenti i vendit, edhe si Komandant Suprem i FSK-së, për progresin e shënuar dhe arritjet e shpejta që i ka bërë kjo forcë.

“Jam i nderuar që të marrë pjesë sot në këtë ceremoni të mirë, të përfundimit të një cikli të rëndësishëm të aftësimit të juaj profesional si kadetë, oficerë të rinj të forcës së Sigurisë së Kosovës. Në cilësinë e Komandantit Suprem të Forcës së Sigurisë së Kosovës, më lejoni të them se derisa fillimi ka qenë i vështirë, unë them se shpejtësia ka marrë hovin me kualitet. Ajo që keni bërë në përgatitjen e brezit të ri sidomos në bashkëpunim edhe me universitete të reputacionit, është rruga më e mirë e aftësimit të kuadrit të ri komandues të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu, duke folur për zhvillimet e dukshme që ka bërë Forca e Sigurisë së Kosovës, ripërsëriti kërkesën e tij edhe njëherë që, qoftë edhe vetëm simbolikisht, Kosova të marrë pjesë në operacionet paqësore të FSK-së.

“Për mua është vërtet një ditë e nderit të madh për Kosovën. Ju jeni mesazh për familjet, për rrethin, për shokët, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe jeni mesazh po ashtu paralel i gatishmërisë së Kosovës, që të participojë siç edhe kam kërkuar shumë herë edhe në cilësinë e Presidentit të vendit, por, edhe të Komandantit Suprem që qoftë edhe simbolikisht, Kosova të marrë pjesë në operacionet paqësore të NATO-së”, vijoi më tej Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu tha se kemi modelin e mirë para vetes, modelin e zhvillimit të atyre që ishin dhe janë mburojë e rëndësishme e Kosovës, partnerët tanë NATO-ja, dhe kjo qasje e rritës dhe e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është pikërisht e përputhur dhe e lëvizur fuqishëm në këtë partneritet.

“Gjithmonë e kam thënë, se krahas guximit, vetëmohimit e sakrificës është e nevojshme gjithmonë që bashkë me këtë të jetë e mishëruar dija, profesionalizmi dhe përgatitja e thellë psikologjike e të gjithë juve. E di shumë mirë, se nesër jo vetëm se do të jeni kuadër komandues në procese të mira të rritjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës, por, do të bartni po ashtu esencialisht mirë frymën profesionale tek brezat që vijnë pas jush dhe do të jeni mesazh i mirë , i ecjes dhe i zhvillimit të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur”, shtoi Sejdiu.

Shembull, i mirë për veprim dhe angazhim, kemi NATO-n, me të cilën do të bashkëpunojmë deri në anëtarësim, por natyrisht edhe pas anëtarësimit.

“E kemi dëshiruar dhe e dëshirojmë gjithmonë, paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin me gjithë vendet e rajonitdhe bashkëpunimin gjithmonë deri në anëtarësim të plotë dhe me anëtarësimin me ecje të suksesshme me NATO-në. Prandaj, them se nuk do të mbeteni vetëm në rolin e ushtarakut po e marrim këtë kushtimisht, do të jeni njerëz që do të dini të punoni me dijeni të thellë në fushat që keni zgjedhur të nevojshëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të qenë ndihmëtarë të proceseve për ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, në pjesën edhe të jetës publike apo civile. Kjo është komponentë që e ka pasur NATO-ja, nuk kanë mbetur këta njerëz të vendeve të ndryshme të botës vetëm në pjesën e mburojës fizike dhe psikologjike të Kosovës dhe të integritetit të saj, por kanë qenë akterë të rëndësishëm për gjithë hapësirën e Kosovës, për të gjitha komunitetet, të ndërtojnë infrastrukturë, të japin shansin për perspektivë, të japin shansin për jetë, prandaj e di se këtë do ta bëni më së miri”, tha Presidenti Sejdiu.

Në fund të fjalës së tij, Presidenti Sejdiu dha një falënderim të veçantë për prindërit dhe familjarët e të diplomuarve, për mbështetjen dhe përkrahjen e fuqishme që u kanë dhënë këtyre të rinjve, të cilët sot e kurorëzuan këtë me diplomim. “Një falënderim shumë të madh për prindërit dhe familjarët tuaj. Ata, kanë ditur t’u ndihmojnë të mbërrini stadin kur e keni vendosur me vullnetin tuaj, por, është edhe vullnet i përbashkët. Ju jeni njerëz që do të jeni shembull i mirë për të gjithë, por, shembull i mirë edhe për moshatarët e juaj”, tha Presidenti Sejdiu.