Presidenti Sejdiu përfundon vizitën në SHBA

Nju Jork, 3 mars. - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, të martën paradite, në selinë e OKB-së në Nju Jork pati një varg takimesh me ambasadorë të disa vendeve anëtare të OKB-së.

Presidenti Sejdiu pati takime të veçanta me ambasadorët e El Salvadorit, Nigerisë dhe Namibisë. Sikur edhe në takimet tjera, Presidenti Sejdiu i njoftoi ambasadorët lidhur me përparimet që janë bërë në Kosovë që pas shpalljes së pavarësisë dhe rolin e Kosovës si faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Presidenti kërkoi nga ambasadorët që qeveritë e vendeve të tyre të shqyrtojnë sa më shpejt mundësitë e marrjes së vendimit për njohje të Kosovës së pavarur.

Ambasadorët e këtyre vendeve theksuan se janë në dijeni për zhvillimet në Kosovë dhe falënderuan Presidentin për të gjitha informacionet, si dhe theksuan se do të njoftojnë qeveritë e tyre me këto zhvillime.

Presidenti Sejdiu, sot pasdite udhëton për në Prishtinë, pas qëndrimit disaditësh në SHBA, ku kishte një varg takimesh të rëndësishme në Uashington dhe në Nju Jork.