Presidenti Sejdiu ngushëllon Guvernatoren e Austrralisë, znj. Quentin Bryce AC

President Sejdiu i ka dërguar një telegram ngushëllimi Guvernatores së Australisë, me rastin e vdekjes së qindra njerëzve nga zjarret shkatërrimtare që përfshinë këtë vend.

Në telegram, ndër të tjera, Presidenti Sejdiu shpreh keqardhjen e tij të thellë për vdekjen e qindra njerëzve dhe shkatërrimet e tjera të shkaktuara nga zjarret.

“Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, ju lutemi, t’i pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e jetëve të njerëzve, lëndimet dhe shkatërrimet tjera, me të cilat po ballafaqohet populli juaj”, thuhet në telegramin e Presidentit Sejdiu.

Ndjejmë keqardhje për popullin australian që u prek nga ky shkatërrim dhe ju përcjellim lutjet tona për viktimat dhe familjet e tyre. Besojmë që do të gjeni forcë për të udhëhequr popullin drejt tejkalimit të kësaj gjendjeje të vështirë për vendin tuaj, shkruan në telegramin e tij Presidenti Sejdiu.