Presidenti Sejdiu ngushëlloi Presidentin Obama dhe popullin e SHBA-së

02.10.2009. - Pas cunamit vdekjeprurës që goditi Ishullin e Oqeanit Paqësor të Samoas Amerikane, Presidenti Sejdiu ia dërgoi një telegram ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në telegram thuhet:

Shkëlqesisë së Tij Barack Obama


President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës 

I nderuari President Obama: 


Në emër të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës, dua t’ia shpreh Shkëlqesisë Suaj dhe mbarë popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ngushëllimet e mia më të thella për viktimat dhe dëmet që i kanë shkaktuar tërmeti dhe cunami i fundit në Samoan Amerikane.  


Lajmi për këtë tragjedi e ka prekur në shpirt dhe në mendje tërë popullin tim, prandaj, i nderuari President Obama, Ju lus t’i pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta. Në këto momente të vështira për popullin tuaj, ne jua ofrojmë miqësinë dhe solidaritetin e popullit të Kosovës. Në këto momente pikëllimi, ne u bashkohemi lutjeve tuaja.


Unë jam i bindur se Shkëlqesia Juaj dhe populli Juaj do t’u bëni ballë këtyre momenteve të rënda. Zoti i bekoftë viktimat e kësaj tragjedie dhe vendit tonë mik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës!  


Gjithashtu, Presidenti Sejdiu, pas cunamit vdekjeprurës që goditi Ishullin e Oqeanit Paqësor të Samoas, u ka dërguar telegrame ngushëllimi Mbretit të Tongas, George Tupou V, kreut të Shtetit të Pavarur të Samoas, Tupua Tamasese Tupuola Tufuga Efi, si dhe Presidentit të Republikës së Indonezisë, Susilo Bambang Yudhoyono.