Presidenti Sejdiu ngushëlloi Presidentin e Gjermanisë, z. Horst Kohler

Presidenti i Republikës së Kosvës dr. Fatmir Sejdiu, i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut të tij gjerman, z. Horst Kohler, për tragjedinë që ndodhi dje në qytetin Winneden të Gjermanisë, ku një i ri vrau pesëmbëdhjetë qytetarë, në mesin e të cilëve edhe një nxënës shqiptar me prejardhje nga Kosova. Më poshtë po e japim tekstin e këtij telegrami:

Telegram ngushëllimi

Shkëlqesisë së Tij, z. Horst Kohler
President i Republikës Federale të Gjermanisë

Në emër të institucioneve dhe të popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për tragjedinë e paimagjinueshme që ndodhi dje në qytetin tuaj Winneden.


Lajmi për humbjen e jetës së pesëmbëdhjetë qytetarëve të pafajshëm gjermanë, në mesin e të cilëve ishte edhe një nxënës me prejardhje nga Kosova, është pritur me pikëllim të thellë kudo në vendin tim. 


Duke iu shprehur ndjenjën e konsideratës sime më të lartë, ju lus i nderuar z. President, ta përballoni me stoicizëm këtë ngjarje të hidhur, e cila na ka tronditur thellë të gjithëve!


Shpirtërisht dhe në lutje jemi me Ju në këto çaste pikëllimi!
Zoti i bekoftë viktimat e kësaj tragjedie!

Me respekt
Dr. Fatmir Sejdiu,
President i Kosovës