Presidenti Sejdiu ngushëlloi Presidentin Christian Wulf

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i dërgoi një telegram Presidentit të Republikës së Gjermanisë, Christian Wulf, të cilit i shprehu ngushëllimet më të sinqerta për shuarjen e jetës së mbi 20 qytetarëve gjermanë, të cilët pësuan dje në aksidentin tragjik në “Paradën e Dashurisë” në Duisburg.Në vijim po e japim tekstin e këttij telegrami:

Shkëlqesisë së Tij, Christian Wulf,
President i Republikës së Gjermanisë,

I dashur President Wulf,


Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për shuarjen e jetës së bashkëqytetarëve Tuaj, të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik, që ndodhi dje në manifestimin tradicional “Parada e Dashurisë” në Duisburg.
Ky lajm tronditës është përjetuar rëndë kudo në Kosovë. Prandaj, në këtë ditë pikëllimi, theksoj solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës me popullin mik gjerman dhe me të gjitha familjet e prekura nga kjo fatkeqësi rrëqethëse.
Me këtë rast, ju lus, i dashur President, t’ua përcillni keqardhjen tonë të thellë dhe ngushëllimet tona të gjithë familjarëve, të cilët i kanë humbur më të dashurit e tyre.
Uroj që qytetarët e plagosur në këtë ngjarje tragjike të shërohen sa më parë dhe të kthehen në familjet e tyre.

Shpirtërisht dhe në lutje jemi me Ju në këto çaste pikëllimi!
Zoti i bekoftë viktimat e kësaj tragjedie dhe familjet e tyre!
Zoti e bekoftë Republikën e Gjermanisë! 
           
Me respekt,
Dr. Fatmir Sejdiu
President i Republikës së Kosovës