Presidenti Sejdiu ngushëlloi gjeneralin Bout de Marnahac dhe kolonelin Del Bario

Pas vdekjes tragjike të dy ushtarëve spanjollë të KFOR-it, Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, i dërgoi një telegram ngushëllimi komandantit të KFOR-it, gjeneralit Bout de Marnahac, si dhe kolonelit Jose Federico Fernandez Del Bario, komandant i trupave spanjolle të KFOR-it.

Në këtë telegram, ndër të tjera, thuhet:                   

Ne jemi thellësisht të pikëlluar për vdekjen tragjike të dy ushtarëve të KFOR-it, të cilët po shërbenin në Kosovë.

Në emër të popullit të Kosovës, Ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta juve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët humbën kolegët e tyre ushtarë. Unë, po ashtu, ju shpreh ngushëllimet tona të thella, simpatinë e sinqertë dhe bashkëndjesinë tonë familjeve të ushtarëve të ndjerë.

Në këtë çast të vështirë, me ta janë mendimet dhe lutjet tona që vijnë nga thellësia e zemrës. 

Ata do të mbahen mend si ushtarë të paqes që, gjatë kohës së tyre në Kosovë, i kanë ndihmuar pa masë stabilitetit dhe zhvillimit të vendit tonë, duke synuar një jetë më të mirë për qytetarët tanë si dhe mirëqenien e shoqërinë sonë.