Presidenti Sejdiu ngushëlloi familjen Berisha

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i ka dërguar një telegram ngushëllimi i familjes Berisha nga Grabovci i Pejës, e cila humbi më të dashurën e saj, znj. Fahrije Berisha, nëna e Dëshmorit të Kombit, Bekim Berisha - Abeja. Në vijim po e japim tekstin e këtij telegrami:

E nderuara familje Berisha,

Në emër të institucioneve dhe të popullit të Republikës së Kosovës ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të zonjës Fahrije Berisha, nënës së Dëshmorit të Kombit, Bekim Berisha - Abeja.

Kumtin për shkuarjen në amshim të nënës Fahrije e kemi marrë me pikëllim, por duke e njohur forcën dhe krenarinë Tuaj, jam i bindur që edhe këtë dhembje që ju ka goditur do ta përballoni me dinjitet.
 
Shpirtërisht dhe në lutje jemi me Ju në këto çaste pikëllimi!
Zoti e bekoftë Fahrije Berishën dhe familjen e saj të nderuar!
 
Me respekt,
Dr. Fatmir Sejdiu,
President i Republikës së Kosovës