Presidenti Sejdiu mori telegram urimi nga zonja Dora Bakoyannis, ministre e Punëve të Jashtme e Greqisë

Ministrja e Punëve të Jashtme e Greqisë, zonja Dora Bakoyannis, i ka dërguar Presidentit të Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, një telegram urimi me rastin e rizgjedhjes së tij president. Në këtë telegram, të cilin Presidentit Sejdiu ia përcolli ambasadori Nikolaos D. Kanellos, shef i Zyrës së Greqisë në Prishtinë, kryediplomatja greke, Bakoyannis, shpreh urimet më të sinqerta për Presidentin Sejdiu, duke i dëshiruar atij suksese në përpjekjet e tij për të mirën e të gjithë popullit të Kosovës.

“Unë jam po ashtu e bindur se kontributi juaj për konsolidimin e një mjedisi paqësor dhe të sigurt në rajonin e Ballkanit tonë do të jetë i rëndësisë së veçantë”, thuhet më tej në urimin e ministres Bakoyannis.

Ndërkaq, në takimin me z. Nikolaos D. Kanellos, Presidenti Sejdiu, pasi shprehu falënderimet për urimet, pohoi se e ardhmja e Kosovës është në raporte të mira e stabile me të gjitha shtetet e rajonit.

“Greqia është mbështetëse e proceseve dhe ka një qëndrim korrekt ndaj Kosovës. Ne jemi fqinjë historikë, sepse jemi të një lashtësie të përbashkët dhe të një civilizimi të përbashkët evropian”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke shprehur bindjen se marrëdhëniet në mes dy vendeve do të intensifikohen edhe më tej.

Shefi i Zyrës greke, z. Nikolaos D. Kanellos, tha se Greqia është e interesuar për zhvillimin e mëtutjeshëm të raporteve të mira me Kosovën.

“Greqia angazhohet për stabilitet rajonal dhe është pajtuar për vendosjen sa më të shpejtë të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë”, tha z. Kanellos.