Presidenti Sejdiu mori pjesë në shënimin e 85-vjetorit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Presidenti Sejdiu duke i përshëndetur drejtuesit dhe punonjësit e Institutit të Shëndetit Publik për 85-vjetorin e këtij instituti, tha se duhet të lëvizet shpejt për të siguruar kushte edhe më të mira dhe të punohet në preventivë për mbrojtjen e shëndetit të popullsisë.

“Misioni që ka Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, por edhe e gjithë shëndetësia e Kosovës është i lidhur ngushtë edhe me punën e të gjitha sistemeve të tjera të nevojshme për të mbajtur mirë jetën e popullit dhe mirëqenien e tyre”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu foli edhe për nevojën e bashkëveprimit dhe koordinimit të punës së institucioneve qendrore dhe lokale të vendit për luftimin e faktorëve që dëmtojnë shëndetin e popullit dhe fenomenet e dëmshme.

Po ashtu, Presidenti tha se duhet të ketë respektim të kodit etik dhe ligjit edhe në mjekësi, sikur edhe në sektorët e tjerë dhe  përmendi raste të dukurive negative edhe në këtë fushë, siç janë problemet me furnizimin me barna me afat shumë të shkurtër apo neglizhenca, me apo pa qëllim, e kujdesit ndaj aparaturës mjekësore nëpër qendrat mjekësore të vendit.

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu duke përshëndetur pjesëmarrjen në këtë ceremoni të përfaqësuesve të instituteve të shëndetit publik të vendeve fqinje të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, bëri thirrje për bashkëpunim tejkufitar edhe në fushën e mjekësisë dhe tha se edhe Kosova një ditë do të jetë anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Duke përshëndetur fillimin e vendosjes së stendave në Qendrën Klinike Universitare, Presidenti Sejdiu bëri thirrje që të krijohet potencial i specializimeve të të gjitha fushave të mjekësisë në Institutin e Shëndetit Publik dhe në qendrat e tjera mjekësore të vendit.