Presidenti Sejdiu mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.

Në një ceremoni ku ishin të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, udhëheqës të Universitetit të Prishtinës, përfaqësues të institucioneve kulturore dhe profesorë e studentë, Presidenti Sejdiu përshëndeti me theks të veçantë pjesëmarrësit ndërkombëtarë të këtij edicioni jubilar të Universitetit Veror, i 10-ti me radhë, duke u dëshiruar atyre mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në Republikën e Kosovës.

Duke folur për sakrificat e mëdha të kaluara për të arritur deri këtu, por edhe për sfidat që e presin në të ardhmen vendin tonë, Presidenti Sejdiu u tha pjesëmarrësve ndërkombëtarë të Universitetit Veror që ta njohin Kosovën, t’i njohin njerëzit e saj dhe kur të kthehen në vendet e tyre të përcjellin atje rrëfimin për shtetin e ri që i bashkëngjitet me hapa të sigurt botës bashkëkohore, në të gjitha fushat e zhvillimit.