Presidenti Sejdiu i dha Kryeministrit Toni Bler “Medaljen e Artë të Lirisë”

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot në kabinetin e tij ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Bler.

Në një ceremoni të veçantë, Presidenti Sejdiu ia dorëzoi z.Toni Bler “Medaljen e Artë të Lirisë”, me të cilën e ka dekoruar Presidenti historik Ibrahim Rugova, më 12 qershor 2004. medalje kjo që u jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj, për kontributin e lartë në mbrojtjen e lirisë së Kosovës.

Duke folur në këtë ceremoni, Presidenti Sejdiu u shpreh: “Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë një admirim të veçantë për Ju, i nderuar Kryeministër Bler, dhe për vendin Tuaj, Mbretërinë e Bashkuar.

Ne do t’ju jemi përherë mirënjohës për përkrahjen e jashtëzakonshme që na keni dhënë në ditët më të vështira që ka përjetuar vendi ynë.

Roli Juaj personal dhe i Mbretërisë së Bashkuar për çlirimin e Kosovës është i pazëvendësueshëm. Ju e bashkuat botën demokratike përreth Aleancës Veriatlantike në intervenimin më të madh humanitar të historisë moderne të njerëzimit për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga gjenocidi që i kanosej në pranverën e vitit 1999.

Gjatë ditëve të luftës, Ju i dhatë kurajë dhe shpresë popullit të Kosovës duke e vizituar në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Porsa lufta mbaroi, Ju erdhët në Kosovë për ta rikonfirmuar vendosmërinë Tuaj për të ardhmen demokratike dhe evropiane  të vendit tonë.

Sot ju jeni sërish në Prishtinë, kur Kosova e pavarur dhe sovrane, si vend për lirinë e të cilit Ju u angazhuat me aq pasion, ju pret si një mik, si një lider dhe si një hero.

Si President i Republikës ë Kosovës, unë ndihem shumë i privilegjuar t’jua dorëzoj “Medaljen e Artë të Lirisë”, me të cilën ju ka dekoruar paraardhësi im, dr. Ibrahim Rugova, në shenjë të nderimit të gjithmonshëm që kanë për Ju të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ju faleminderit për gjithë atë që keni bërë për Kosovën”!

Pas takimit të tyre, Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Toni Bler dhanë nga një deklaratë për media.

Fillimisht, Presidenti Sejdiu falënderoi zotin Bler për angazhimet për lirinë njerëzore, për lirinë e njerëzve të Kosovës, për shpëtimin e qenies sonë dhe, në të njëjtën kohë, për angazhimet e fuqishme që Mbretëria e Bashkuar, edhe nën udhëheqjen e tij edhe më vonë, e bënë për Kosovën.

“Shpreha falënderimet më të larta për angazhimet e veçanta të të gjitha ekipeve të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, që kanë ardhur që të ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve tona edhe ekonomike por edhe institucionale dhe, në të njëjtën kohë, një konsideratë të lartë për angazhimet e tij deri në nivelet më të larta të mekanizmave ndërkombëtarë, deri në Kombet e Bashkuara dhe në Këshillin e Sigurimit, për të ardhmen e Kosovës, të Kosovës së të gjithë qytetarëve të saj, vijoi Presidenti Sejdiu.

“Kosova nuk ka vizion tjetër, do të jetë atdhe i dashur për të gjithë qytetarëve e saj, me sfidat që ka, por do të kalojnë në sukses të vazhdueshëm, ka objektivin e saj që të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s dhe ka një objektiv të fuqishëm që me këtë përmbushje të fuqishme të kritereve çka edhe e demonstron të ketë raporte shumë të mira edhe me të gjitha vendet e rajonit por edhe me vendet e tjera”, tha më tej Presidenti Sejdiu.

Andaj, në këtë rol, në këtë qasje dhe në këtë pjekuri të ecjes sonë, vend të veçantë ka edhe investimi i Mbretërisë së Bashkuar, i kryeministrit Bler dhe i gjeneratave që kanë ardhur pas tij dhe gjithmonë një rol të veçantë Lartmadhëria e saj, Mbretëresha Elizabeth, tha Presidenti Sejdiu.

Na gëzon fakti që sot Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë të rëndësishme për Kosovën në të cilën iu bën thirrje edhe pesë vendeve të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që të shpejtojnë me njohjen e Kosovës sepse Kosova është një realitet pozitiv që ecën suksesshëm, përfundoi Presidenti Sejdiu.

“Më lejoni të shpreh kënaqësinë dhe nderin që jam në Kosovë. Me Presidentin Sejdiu kishin bisedime shumë përmbajtjesore për të kaluarën dhe të tashmen e Kosovës”, tha kryeministri Bler, duke falënderuar Presidentin Sejdiu për pritjen.

“Më lejoni t’ju falënderoj për fjalë miradije, për respekt timin dhe të vendit tim. Është mundësi edhe për mua që t’i falënderoj forcat e armatosura të vendit tim dhe të NATO-s që kanë pasur një rol kaq të rëndësishëm në atë që ka ndodhur para disa vitesh”, tha ai.

Diskutimi ishte i përqendruar drejt së ardhmes dhe perspektivës evropiane dhe jemi pajtuar se sa me rëndësi është që Kosova të vazhdojë të bëjë përparime duke i mundësuar idesë evropiane që të bëhet realitet dhe të afrohet me Kosovën dhe njerëzit e saj, vijoi më tej z.Bler.

“E di që ka shumë punë që janë duke u vazhduar, me procesin e njohjeve, me anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare, dhe përparimi i dukshëm që është bërë është bërë duke iu falënderuar lidershipit dhe njerëzve të Kosovës. Është kënaqësi për mua të jem me ju këtu dhe të kthehem në Kosovë pas 11 vitesh. I kam vërejtur ndryshimet dhe për t’i njohur ato”, tha kryeministri Bler.

Ndërsa, i pyetur nëse Kosova është çështje e zgjidhur, pasi ajo është njohur nga 69 shtete, por ka edhe pesë vende ne BE që nuk e kane njohur, z.Bler u përgjigj:

“Unë mendoj se Kosova është çështje e zgjidhur, në kuptim që Kosova është këtu dhe do të vazhdojë të jetë këtu, si shtet i pavarur. Ka një lloj procesi të njohjes ndërkombëtare, por mendoj se me përparimin e Kosovës do të bëhet edhe më e lehtë që të zgjidhet edhe kjo çështje. Pra, dujke marrë parasysh rezolutën e Parlamentit Evropian, kjo është e rëndësishme. Sigurisht që këto gjëra do të vazhdojnë, do të ketë mospajtime të vazhdueshme, por nëse e shohim përparimin e vazhdueshëm të këtyre njohjeve, kjo është impresive”.

Ndërkaq, duke u përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve lidhur me situatën në veri të vendit, perspektivën e jetës së përbashkët dhe eventualisht hapjen e bisedimeve për të ardhmen e kësaj pjese të Kosovës, Presidenti Sejdiu tha: “Çështja e Kosovës, me vullnetin e popullit të saj, është e vendosur më 17 shkurt të vitit 2008. Natyrisht, të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës e kanë njohur atë si shtet sovran dhe të pavarur. Ne dëshirojmë absolutisht që të kemi marrëdhënie të mira edhe me Republikën e Serbisë dhe me popullin serb, dhe po ashtu, them se ka shumë tema për të cilat mund të bisedohet, të cilat janë në interes të dy shteteve sovrane, që është edhe pjesë e kritereve të rëndësishme për proceset integruese, si çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve, çështja e parandalimit të krimit të organizuar, bashkëpunimi ekonomik, rrjeti energjetik rajonal  etj, por asnjëherë për çështjen e statusit”.

Ne, vijoi Presidenti Sejdiu, e kemi dhënë zotimin tonë në projektin e Presidentit Ahtisaari, që është një projekt i përbashkët ndërkombëtar dhe Kosova me gjithë sfidat që ka, do ta realizojë këtë objektiv që vërtet edhe ajo pjesë e serbëve të cilët deri më tash kanë hezitim në integrimin aktiv në jetën e përditshme, të jetë pjesë e proceseve, të jetë partner aktiv në perspektivën e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës.