Presidenti Sejdiu i dërgoi telegram ngushëllimi familes Hazjeri

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Hajzeri, me rastin e vdekjes së veprimtari të dalluar Hajzer Hajzeri.Më poshtë po e japim telegramin e plotë:

E nderuara familje Hajzeri,

Pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, veprimtarit dhe atdhetarit të respektuar Hajzer Hajzeri.

Hajzer Hajzeri ka qenë një personalitet dhe veprimtar i dalluar i lëvizjes politike dhe një nga organizatorët kryesor të rezistencës nacionale, duke dhënë shembullin e përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Puna e tij kishte përçuar mesazhin më të fuqishëm të kundërshtimit ndaj okupimit dhe dhunës që ushtrohej nga regjimi i Beogradit duke u bërë një shembull reference dhe vlerësimi të përhershëm.
Pavarësia e Kosovës që e festojmë sot është bërë e mundur duke i falënderuar punës dhe sakrificës të personaliteteve siç ishte  Hajzer Hajzeri.
   
Lajmin për vdekjen e tij e morëm me pikëllim të thellë, po jemi të bindur se virtytet dhe respekti për kontributin që dha për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës Hajzer Hajzeri, do të kujtohen përherë nga qytetarët e Republikës së Kosovës.

Shpirtërisht dhe në lutje jemi me Ju në këto çaste pikëllimi!
Zoti e bekoftë Hajzer Hajzerin!
 
Me respekt

Dr. Fatmir Sejdiu,
President i Republikës së Kosovës