Presidenti Sejdiu fton bizneset gjermane që të investojnë në Kosovë

Berlin, 7 maj 2010. – “Kosova e ka për borxh që të realizojë synimin e saj, që të jetë atdhe i lirë i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, pa dallim besimi dhe të jetë shans i progresit të përgjithshëm, duke ofruar po ashtu mundësinë, me vizionin e vet, që të lëvizë shpejt drejt integrimeve dhe proceseve të tjera të rëndësishme që ndodhin në Evropën e bashkuar”, tha sot Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu duke folur në pritjen e organizuar për të dhe delegacionin kosovar nga Shoqata Ekonomike Gjermano-Kosovare në Berlin, ku iu organizua pritja nga presidenti i kësaj shoqate, Jurgen Kosian.

“Përvojat  e deritashme janë të mira, ndërsa periudha në të cilën jemi kërkon nxitje të investimeve të huaja, por edhe mbështetje politike ndërkombëtare, për të lëvizur më shpejt në proceset integruese”, tha më tej Presidenti Sejdiu.

Duke folur para përfaqësuesve të bizneseve gjermane, shumë prej tyre me angazhime edhe në Republikën e Kosovës, Presidenti Sejdiu tha se hyrja e Kosovës në eurozonë ka shërbyer për ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit.

Presidenti Sejdiu theksoi se në vendin tonë janë të angazhuara, përveç shumë kompanive ndërkombëtare, edhe disa banka të rëndësishme. Por, ai ka kërkuar prej tyre, sikur edhe prej të gjitha bankave të tjera, që të ulin interesat, duke gjetur kështu interesin e përbashkët me qytetarët, pasi këto banka tashmë kanë krijuar një besim të madh te qytetarët e vendit.
“Është e pakapshme që një bankë në një vend fqinj të ketë normë më të ulët të interesit, ndërsa në Kosovë normë më të lartë”, tha Presidenti Sejdiu.

Ai tha se ka ardhur koha që të lëvizet më shumë në drejtim të komunikimeve të përbashkëta, me qëllim të bashkëpunimit më të madh dhe të shkëmbimit të përvojave, ndërkohë që bëri thirrje për shtim të investimeve gjermane në vendin tonë.

Lidhur më mundësitë që ofron Kosova në të gjitha fushat, një ekspoze më të gjatë e kanë paraqitur në vijim ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku.

Ndërsa përfaqësuesit e biznesit gjerman janë interesuar në detaje për mundësitë e investimeve në fushat e rëndësishme në Kosovë, si në fushën e energjetikës, minierave, përpunimit të mbeturinave, veprimtarive prodhuese e të tjera.

I shoqëruar nga delegacioni që prin, Presidenti Sejdiu vizitoi edhe Pallatin e Mbretit Prus në Potsdam, ku u njoh me historinë e këtij pallati të rëndësishëm për historinë gjermane, i ndërtuar në fillim të shekullit 17 dhe i cili tashmë më shumë se dy shekuj ka karakter muzeal.

Në një deklaratë pas vizitës në Potsdam, Presidenti Sejdiu i bëri një rekapitullim vizitës zyrtare në Gjermani.

“Ishte një vizitë me peshë të veçantë. Takimet që pata me Presidentin, me Kancelaren, me ministrin e Jashtëm, me kryetarin e Parlamentit  dhe takimet e tjera më bëjnë edhe më të sigurt në mbështetjen kaq të fuqishme që Gjermania i jep Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke shtuar se bashkëbiseduesit i kanë dhënë një premtim përkushtues se do të mbahet niveli i investimeve, siç ka qenë më herët.

“Për ne është shumë me rëndësi se u konfirmua fuqishëm edhe një herë qëndrimi i Gjermanisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, për angazhimin e Gjermanisë që të ndikojë në vendet mike për njohjen e mëtejme të Republikës së Kosovës, për një qasje të interesit të veçantë për investime në fusha të caktuara në Kosovë”, tha Presidenti Sejdiu.

“Kjo vizitë ka një peshë të veçantë për fillimin e një epoke të re të bashkëpunimeve ndërshtetërore, duke pasur parasysh rolin që ka Kosova në partneritetin e sajtë rëndësishëm për paqe dhe stabilitet”, theksoi ai.

Presidenti Sejdiu, po kështu, bëri të ditur se ka ftuar Presidentin Kohler dhe Kancelaren Merkel për të vizituar Republikën e Kosovës.

Në kuadër të aktiviteteve të shumta gjatë vizitës dyditore zyrtare në Gjermani, Presidenti Sejdiu ka vizituar edhe Fondacionin “Konrad-Adenauer”. Fillimisht Presidenti Sejdiu ka zhvilluar një takim të veçantë me presidentin e këtij fondacioni prof. Dr. Hans-Gert Pottering, ndërsa më pas, para një auditori të zgjedhur, ai ka mbajtur ligjëratën në temën “Kosova dy vjet pas pavarësisë dhe perspektiva e saj euroatlantike”.