Presidenti Sejdiu emëroi dy këshilltarë të rinj

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, emëroi sot dy këshilltarë të rinj. Dr. Ibrahim Berisha u emërua Këshilltar i lartë politik për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, kurse mr. sc. Shqipe Mjekiqi Këshilltare politike për Integrime Evropiane.

Ibrahim Berisha është doktor i sociologjisë dhe i filozofisë dhe mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu, ai është emër i respektuar në fushë të letërsisë dhe të publicistikës, si dhe njëri ndër nismëtarët dhe themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shqipe Mjekiqi shkollimin e mesëm e ka mbaruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, studimet themelore në Universitetin e Prishtinës, Drejtimi: Shkencat politike, kurse masterin në London School of Economics, Drejtimi: Politika dhe qeverisja në Bashkimin Evropian. Ligjëron në Universitetin Amerikan në Kosovë, lëndën: Politika dhe politikat publike.

Në bazë të Rregullores në fuqi, Presidenti Fatmir Sejdiu pritet të emërojë edhe disa këshilltarë të tjerë në kabinetin e tij.