Presidenti Sejdiu dhe PSSP Ryker takuan Komisionerin Ren

Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dhe PSSP, z. Joakim Ryker, u takuan sot (e hënë) pasdite në Bruksel me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, z. Olli Rehn (Ren).

Në takim u bisedua kryesisht për procesin e statusit të Kosovës. Z. Olli Ren shprehu përkrahjen e Komisionit Evropian për proceset që po zhvillohen në Kosovë. Ai foli poashtu për angazhimet e shtuara të Komisionit në fazën e tranzicionit, e cila lidhet edhe me përcaktimin e statusit politik të Kosovës.

Presidenti i Kosovës çmoi angazhimet e Komisionerit Ren për Kosovën dhe kërkoi mbështetje për definimin sa më të shpejtë të statusit të Kosovës me pavarësi të plotë të vendit.

Sot paradite, Presidenti Fatmir Sejdiu pati një takim në Bruksel me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, z. Besnik Mustafaj. Në takim u këmbyen mendime për gjendjen aktuale në Kosovë dhe në Shqipëri, si dhe për procesin e statusit të Kosovës.

Në orët e pasdites, Presidenti Fatmir Sejdiu dhe PSSP Joakim Ryker do të marrin pjesë në Forumin e Ballkanit Perëndimor, që organizon Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Unionit Evropian. Çështja e Kosovës do të jetë nga temat kryesore të këtij forumi.