Presidenti Sejdiu dhe ministri Hyseni udhëtuan për në Nju-Jork

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u nis sot për në Nju Jork, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni. Atyre do t’u bashkohet më vonë edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili ndodhet për vizitë në Katar.

“Qëllimi ynë themelor është që në Nju Jork të takojmë përfaqësues të delegacioneve dhe udhëheqës të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që do të jenë në kohën e Asamblesë së Përgjithshme atje”, theksoi Presidenti Sejdiu në një konferencë shtypi mbajtur para nisjes.

“Është kohë e debatit të mundshëm për projektrezolutën e paraqitur nga Serbia për të penguar ecjen tonë të mëtejshme, sipas vizionit të saj, dhe të relativizojë qëndrimin e qartë të shprehur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Por këtë nuk mund ta bëjë. Pjesa tjetër do të jetë angazhimi për njohje”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke shfaqur qëndrimin që ky udhëtim do të jetë i frytshëm, duke pasur parasysh angazhimet e mëhershme të institucioneve të vendit, por edhe të përkrahësve të Kosovës.

Duke përshëndetur njohjen e Republikës së Kosovës dje nga Republika e Hondurasit, Presidenti Sejdiu tha se shumë vende kanë dhënë sinjale të mira dhe në proces të mëtejshëm do të ketë veprime të drejtpërdrejta të njohjes, por është gjithmonë çështje e kohës kur këto vende ndërmarrin hapin për njohje.

“Priten njohje të reja. Ka shumë shtete që kanë dhënë indikacione shumë të qarta se janë duke e trajtuar gjithanshëm kërkesën e Republikës së Kosovës për njohje”, theksoi ndërkaq ministri i punëve të Jashtme, Skënder Hyseni.