Presidenti Sejdiu dhe ambasadori Dell vizituan Qendrën e Numërimit të Rezultateve

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christofer Dell vizituan sot Qendrën e Numërimit të Rezultateve të KQZ-së.

Gjatë kësaj vizite, Presidenti Sejdiu rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e fuqishme për KQZ-në dhe për të gjitha institucionet e tjera të pavarura që punën e tyre e bëjnë duke u mbështetur në ligj dhe rregullore.

Presidenti Sejdiu tha se Kosova dhe qytetarët e saj dhanë provimin dhe prova të mjaftueshme për pjekurinë e lartë që treguan në organizimin e zgjedhjeve dhe mbarëvajtjen e mirë të këtij procesi.

Ndërsa qytetarët dëshmuan edhe me dalje në zgjedhje dhe që me verdiktin final, me votën e tyre dhe vullnetin e tyre, kanë bërë përzgjedhjen për udhëheqjen komunale në gjithë komunat e vendit.

”Kosova vërtetë kapërceu një provim të madh të pjekurisë, edhe në organizimin e proceseve zgjedhore por edhe të pjekurisë së saj si shtet, në këtë kohë të sfidave të mëdha që ne kemi para vetes. Unë them se qytetarët e Kosovës kanë dhënë provën e vet me pjesëmarrje në procesin e votimeve, me shprehjen e vullnetit të tyre, por mbetet që vullneti i tyre të procedohet edhe në këtë mënyrë të llogaritjes finale si duhet”, tha Presidenti Sejdiu.

Ai po ashtu bëri thirrje edhe njëherë që vullneti i qytetarëve të vendit të evoluohet dhe sigurohet me mbështetje të vetme, me mbështetje në ligj.  “Prandaj dua të besoj që gjithë këto trupa që ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe mekanizmat e tjerë të funksionojë si duhet dhe që verdikti final i qytetarëve apo vullneti i sovranit të evoluohet mbështetur në ligj dhe besoj që ky proces do të ndodhë ashtu. Mbetet në ju të intensifikoni punën më të mirë të mundshme, mbetet në gjithë ekipet të shqyrtoni në të gjitha çështjet që ndërkohë mund të jenë pjesë të proceseve dhe që secili subjekt politik garues, ka të drejtën e vet që të japë kërkesën e shqyrtimeve dhe në finale të mbërrijmë atë që gjithë ne e dëshirojmë”, shtoi Sejdiu.