Presidenti: Paqja dhe stabiliteti ndërtohen me barazi, dialog dhe bashkëpunim

Prishtinë, 26 prill 2017 - Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në seminarin e organizuar nga Ambasada e Finlandës me temën “Kosova dhe Finlanda ndërtojnë të ardhme së bashku: Ndërmjetësimi i paqes, Menaxhimi i krizave dhe Plani i Ahtisaarit - Rruga përpara”.

Presidenti Thaçi tha se Kosova e njeh mirë rolin e Finlandës në ndërtimin e paqes në botë dhe është përgjithmonë mirënjohëse për përkrahjen që ka marrë në kohët më të vështira, por edhe vendimtare për paqen dhe lirinë e vendit tonë.

“Përvoja e parë e Kosovës në angazhimin e Finlandës për paqe fillon me presidentin Ahtisaari qysh në vitin 1999, kur ai negocionte me Millosheviqin tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Për Kosovën kjo nuk ishte vetëm tërheqje e trupave, por ishte edhe fund i vrasjeve, dhunimeve, dëbimeve. Fund i përpjekjeve për të zhdukur një popull të tërë, gjurmët e tij, nga toka ku kishte jetuar gjithmonë. Ndërsa, për botën kjo nuk simbolizonte vetëm fundin e një lufte në tokën e Evropës, por ngadhënjimin e angazhimit të tyre për barazi dhe liri për të gjithë popujt mbi politikat diskriminuese, përjashtuese, hegjemoniste e nacionaliste që kishin shkatërruar rajonin e Ballkanit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Sipas tij, kjo ishte betejë mes vlerave dhe parimeve të humanitetit dhe të drejtave të njeriut në njërën anë dhe përdorimit të dhunës për të ndërtuar realitete të reja politike në anën tjetër.

“Për presidentin Ahtisaari kishim dëgjuar edhe më herët, në punën e tij në kuadër të Grupit Ndërkombëtar të Krizave kur propozonte idenë e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën. Presidenti Ahtisaari e kuptonte se nuk mund të ndërtohet paqja dhe stabiliteti duke shkelur të drejtat e një populli dhe duke injoruar aspiratat e atij populli. Përkundrazi. Ai kishte kuptuar se çelës për paqen është respektimi i vullnetit të të gjitha palëve, respektimi i të drejtave të të gjitha palëve”, shtoi presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se Presidenti Ahtisaari ka luajtur rol edhe në procesin e përcaktimit të statusit politik të Kosovës.

“Si testament i angazhimit të tij edhe sot dokumenti mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës vazhdon të quhet Dokumenti i Ahtisaarit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Por, sipas tij, në ndërtimin e Kosovës kanë kontribuar me mijëra finlandezë.

“Kanë kontribuar në të gjitha misionet ndërkombëtare në Kosovë, civile e ushtarake”, tha ai.

Presidenti shtoi se ka pasur fatin të jetë pjesë e proceseve më të rëndësishme në të cilat ka kaluar shoqëria kosovare si pjesëmarrës e udhëheqës.

“E njoh mirë diskriminimin, përjashtimin, luftën dhe i njoh tmerret që shkakton ajo. E njoh mirë vështirësinë e ndërtimit të një shoqërie të shkatërruar nga lufta. I njoh mirë kurthet që lë pas vetes lufta dhe konflikti. E di mirë sa e vështirë është të ndërtohet paqja, sidomos paqja e qëndrueshme. Por, e di edhe sa e rëndësishme është paqja dhe stabiliteti. Prandaj gjatë luftës kam qenë i angazhuar që të ruhet aq sa mundet humaniteti dhe solidariteti. Kurse, pas luftës jam angazhuar për ndërprerjen e armiqësive dhe ndërtimin e urave në mes popujve. Për këtë angazhohem edhe sot, si President i Kosovës”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi numëroi edhe disa prej hapave që promovon si president i vendit për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe në rajon.

“Kusht i parë është drejtësia. Për drejtësi kanë nevojë viktimat, por edhe gjeneratat që vijnë. Por, për drejtësi kanë nevojë edhe ata në emër të të cilëve janë kryer krimet, që të distancohen nga kriminelët. Prandaj, që në fillim të mandatit tim si president kam apeluar tek Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që të angazhohen edhe më shumë në zbulimin dhe dënimin e atyre që kanë kryer krime lufte në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Ky është hapi i parë drejt mbylljes së plagëve të luftës”, shtoi ai.

Hapi i dytë i ndërmarrë, presidenti Thaçi tha se është themelimi i Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë.

“Duhet të mbyllet kapitulli i së kaluarës dhe të hapet kapitulli i ri, për një të ardhme të re. Drejtësia duhet të pasohet nga e vërteta dhe pajtimi”, theksoi presidenti Thaçi.

Duke mësuar për vuajtjet e njëri-tjetrit, presidenti Thaçi theksoi se të gjithë do ta kuptojnë edhe më shumë rëndësinë e ndërtimit të paqes së qëndrueshme në Kosovë.

Pika tjetër për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në rajon, sipas presidentit Thaçi, është bashkëpunimi rajonal dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Vazhdoj të promovoj dialogun rajonal për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në rajon. Jam ulur në tavolinë me njerëzit që dy dekada më parë kërkonin të më vrisnin vetëm për shkak se kërkoja barazi për popullin tim. Nuk ishte vendim i lehtë, por ishte vendim i drejtë”, shtoi presidenti Thaçi.

Që nga viti 2013, presidenti Thaçi tha se Kosova ka instaluar procesin e dialogut me Serbinë që, me gjithë sfidat dhe ngecjet që përjeton, ka vënë parimin e dialogut si instrument për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje dhe konflikti që mund të kemi me njëri-tjetrin.

“Pas fitimit të lirisë dhe ndërtimit të shtetit, duhet të çimentojmë paqen dhe barazinë në Kosovë dhe në rajonin tonë. Hap i natyrshëm për këtë është anëtarësimi në NATO dhe BE i tërë rajonit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti ka shtuar se është kënaqësi të shohim se edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë të përkushtuara në rrugën e tyre për anëtarësim në BE dhe nxitojnë të mbyllin kapitujt e negociatave me Brukselin. Por, sipas tij, i tërë ky rezultat mund të vihet në pikëpyetje nëse Bashkimi Evropian nuk i zgjat dorën Ballkanit Perëndimor.

“Po shohim një ngritje të ideologjive populiste, nacionaliste e radikale, si në rajonin tonë, ashtu edhe në Evropë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Për këtë, presidenti Thaçi theksoi se përsëri kemi nevojë për vizion dhe guxim që të ritheksojmë se paqja dhe stabiliteti në Evropë dhe në botë ndërtohen mbi barazi, dialog dhe bashkëpunim.