Presidenti Pacolli vizitoi pjesën veriore të Mitrovicës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli qëndroi sot për vizitë në Mitrovicë. I shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe bashkëpunëtorët e tij, Presidenti Pacolli kaloi në këmbë urën, e cila që nga paslufta është kthyer në një simbol të ndarjes së qytetit, vizitoi zonën e njohur si “Tre Rrokaqiejt” pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe qëndroi për një kohë në shtëpinë e Ministrit Bajram Rexhepi në Suhadoll.

Vizita e Presidentit Behgjet Pacolli është vizita e parë e një presidenti të Kosovë në këtë pjesë të qytetit.

Banorët shqiptarë e kanë përcjellë vizitën dhe e kanë përcjellë atë me duartrokitje. Ata gjithashtu i kanë paraqitur problemet dhe hallet që kanë Presidentit Pacolli, i cili është ndalur në rrugë për të bashkëbiseduar me ta.

“Jeni pjesë e halleve tona. Ndjejeni veten gjithmonë qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës. Të gjitha bandat, kriminelët, që e pengojnë jetën normale në këtë anë ne do t’i luftojmë me vendosmëri. Ju them se në të ardhmen, askush nuk guxon ta çojë gishtin drejt asnjë banori, pa marrë parasysh i cilës etni është. Ju jeni pjesë e Kosovës dhe keni gjithë mbështetjen dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës”, theksoi Presidenti Pacolli gjatë një bashkëbisedimi me banorët e zonës së “Tre Rrokaqiejve”.

 

Ndërsa, duke folur para gazetarëve, Presidenti Pacolli u shpreh: “Ishim edhe në këtë anë të Kosovës, këtë anë të lumit, pasi që për mua nuk ekziston termi veri apo jug, ekzistojnë vetëm termat gjeografike dhe jo politikë dhe administrativë”.

“Ishim në këtë anë që pak a shumë t’i përkrahim banorët e kësaj ane, pa marrë parasysh kujt i përkasin, cilës fe apo kombësi i përkasin, t’u tregojmë se janë pjesë përbërëse e Kosovës, janë qytetarë të Kosovës, të ndihen mirë dhe t’u themi se edhe këtu mbretëron ligji dhe jemi të përkushtuar t’ua përmirësojmë jetën këtyre qytetarëve edhe në këtë anë”, theksoi Presidenti Pacolli.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi lavdëroi përkushtimin e Presidentit që qysh në fillim të mandatit të vizitojë këtë pjesë të Kosovës.

Edhe z.Rexhepi theksoi se termet pjesa veriore dhe jugore e qytetit janë terme gjeografike në kokat e disa njerëzve por “gradualisht, me një punë të përbashkët, krejt territori i Kosovës do të jetë unik, do të vlejnë ligjet e Kosovës”.

 

Më tej, ministri Rexhepi shpjegoi idetë e Presidentit Pacolli për këtë pjesë të qytetit, që përfshijnë sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.

“Në rend të parë sundimi i rendit dhe ligjit dhe zhvillimi ekonomik dhe këto do të jenë si synime strategjike në të ardhmen që të bëhet integrimi i mirëfilltë edhe i qytetarëve, jo vetëm integrimi administrativ”, theksoi ministri Rexhepi.

 

Në vijim, Presidenti Pacolli u përgjigj në pyetjet e gazetarëve. I pyetur nëse në bisedimet me Serbinë a do të flitet për çështjen e kësaj pjese të Kosovës, Presidenti Pacolli u përgjigj: “Sot është një ditë shumë e bukur, flasim për hallet e qytetarëve të Mitrovicës. Grupi për bisedime është në formim e sipër dhe ata kanë agjendën e vet, një agjendë e mbështetur nga miqtë tanë ndërkombëtarë, nga Qeveria e Kosovës dhe normalisht edhe nga Presidenca dhe t’i lëmë që ata të veprojnë me agjendën e vet”.

Z.President, ju u thatë banorëve që do t’i luftoni grupet kriminale që janë në këtë pjesë të Kosovës, si do ta bëni këtë, ishte pyetja tjetër, duke u përgjigjur në të cilën Presidenti Pacolli tha: “Unë po ju premtoj se në këtë mandat, në mandatin pesëvjeçar, bashkë me njerëzit e Qeverisë së Kosovës, bashkë me njerëzit e Kosovës, njerëzit që ia duan të mirën Kosovës, e duan Kosovën, ne edhe në këtë anë do të kthejmë rendin dhe ligjin. Ligji do të jetë mbi të gjithë dhe kjo pjesë, qytetarët e kësaj pjese, do të ndihen si pjesë plotësisht përbërëse e Kosovës”.

Ndërsa i pyetur cila është ndjenja e tij, duke qenë Presidenti i parë që kalon Urën e Ibrit në këmbë dhe vjen në këtë pjesë, Presidenti Pacolli u përgjigj: “Për mua ishte hera e parë si president i Kosovës që ta kaloj urën, përpara unë kam kaluar këtë urë dhe po ju premtoj se edhe shumë herë të tjera ne do të vijmë në këtë pjesë të Kosovës. Këta qytetarë këtu e meritojnë këtë dhe ne do të jemi pjesë e halleve të këtyre qytetarëve këtu”.