Presidenti Pacolli u takua me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Islam Lauka

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli u takua sot me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në vendin tonë, Islam Lauka.

Në një takim të gjatë dhe të përzemërt, Ambasadori Lauka përgëzoi Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e re, si dhe i përcolli urimet e udhëheqësve më të lartë shtetërorë të Republikës së Shqipërisë.

Ambasadori Lauka përsëriti edhe një herë gatishmërinë e Shqipërisë për t’i ndihmuar Kosovës në proceset për konsolidimin e demokracisë, në proceset integruese euroatlantike, si dhe konfirmoi qëndrimin e institucioneve të vendit që përfaqëson për vazhdimin dhe zgjerimin edhe më tej të marrëdhënieve të shkëlqyera që dy vendet tona kanë në të gjitha fushat.

Ai gjithashtu tha se Shqipëria dëshiron që Kosova të jetë një shtet i fortë dhe stabil, në të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe stabilitetit në rajon në përgjithësi.

Z.Lauka vlerësoi si një të arritur shumë të madhe krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, të cilat i presin një varg sfidash në të ardhmen.

Presidenti Behgjet Pacolli theksoi në takim se qëllimi ynë i përbashkët është që të jemi sa më unikë në bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt shtëpisë së madhe evropiane.

Ai gjithashtu shprehu falënderimet e tij për Shqipërinë, për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Presidenti Pacolli dhe ambasadori Lauka diskutuan edhe përpjekjet e përbashkëta për sigurimin e një numri sa më të madh të njohjeve të shtetit të Kosovës, për shkëmbimin e vizitave bilaterale në nivel më të lartë, krijimin e lehtësive dhe shtimin e intensitetit në bashkëpunimin ekonomik dhe një varg çështjesh me interes për të dy vendet.