Presidenti Pacolli priti shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Werner Almhofer

“OSBE ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në demokratizimin e vendit tonë”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli gjatë një takimi me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, z.Werner Almhofer.

OSBE, tha ai, ka bërë gjëra shumë të nevojshme për vendin tonë, duke dhënë një ndihmë shumë të çmueshme në ndërtimin e institucioneve demokratike.

Presidenti Pacolli theksoi se synimi i institucioneve dhe i popullit të Kosovës është integrimi sa më i shpejtë në institucionet euroatlantike. “Ne synojmë të hyjmë në Evropë dhe për ta arritur këtë duhet të jemi të kompletuar në të gjitha fushat”, tha ai.

Në këtë plan, ai theksoi se Kosova ka nevojë për reforma në një varg fushash, ku një nga më kryesoret është reforma në fushën e drejtësisë. Presidenti Pacolli theksoi se institucionet e vendit duhet të gjejnë një zgjidhje për të kapërcyer gjendjen e tanishme në gjyqësor, ku ka një grumbullim të lëndëve të pashqyrtuar dhe kjo, tha ai, mund të bëhet me angazhimin e juristëve të rinj, studentëve të cilët kanë kryer studimet dhe nuk kanë gjetur angazhim, duke i trajnuar ata dhe duke i dërguar për të ndihmuar gjyqtarët dhe prokurorët për përballimin e numrit të madh të lëndëve që presin shqyrtim në gjykatat përkatëse.

Gjithashtu, Presidenti Pacolli theksoi nevojën e ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje, ndërsa përsëriti edhe një herë se Presidenti i vendit duhet të zgjidhet me votat e qytetarëve. Në këtë drejtim, ai theksoi se OSBE mund të asistojë me këshillat e saj.

Shefi i Misionit të OSBE-së, në Kosovë, z.Werner Almhofer, theksoi gatishmërinë e organizatës që ai drejton për të dhënë ndihmesën e saj kudo që kërkohet.

Ai theksoi se Misioni i OSBE-së është tash 12 vjet në Kosovë, ndërsa kjo organizatë është prezente edhe në vendet e rajonit.

 

Z.Almhofer theksoi se ndihma e OSBE-së konsiston në ofrimin e këtyre vendeve, edhe të Kosovës, drejt Bashkimit Evropian, duke dhënë ndihmesën e saj në zhvillimin e demokracisë së mirëfilltë, në fushën e sundimit të ligjit dhe në krijimin e ambientit për investime të huaja.

“OSBE tash është këtu vetëm për të ndihmuar, për të ofruar mbështetje, por puna kryesore mbetet në duart tuaja”, tha shefi i Misionit të OSBE-së, në Kosovë, z.Werner Almhofer.