Presidenti Pacolli priti shefin e EULEX-it, z. Xavier Bout de Marnhac

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në takim shefin e EULEX-it, z. Xavier Bout de Marnhac, me të cilin zhvilloi një bisedë të gjatë dhe miqësore.

Z.De Marnhac e uroi Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e re dhe i ofroi gjithë bashkëpunimin e misionit që ai drejton.

Edhe Presidenti Pacolli nga ana e tij çmoi lart rolin dhe punën e EULEX-ut dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për bashkëpunim me këtë mision.

Në një konferencë për media, pas takimit, Presidenti Behgjet Pacolli tha se do të vazhdohet me bashkëpunimin që ka qenë dhe në të ardhmen do të intensifikohet edhe më shumë.

“Kjo ishte vizita e radhës, një vizitë që z. De Marnhac i bëri Presidencës të Kosovës, presidentit të ri të Kosovës. Biseduam për rolin e tij personal dhe rolin e EULEX-it në Kosovë. Konkluduam se bashkëpunimi duhet të jetë intensiv. Problemet janë evidente dhe mund të trajtohen vetëm nëse ato njihen dhe për këtë jemi dakord me z. De Marnhac që të bashkëpunojmë dhe një bashkëpunim që ka qenë do të jetë në të ardhmen edhe më intensiv”, tha Behgjet Pacolli.

Ndërsa, shefi i EULEX-it, z. Xavier Bout de Marnhac u shpreh: “Kisha kënaqësinë sot të bëjë një vizitë tek Presidenti Pacolli. Kam ardhur këtu t’ju siguroj që EULEX-i është i dedikuar të promovojë sundimin e ligjit në Kosovë dhe që jemi ngushtë të lidhur në fushën e politikës, sidomos t’i mbështesim institucionet e Kosovës  në fushës e sundimit të ligjit”.