Presidenti Pacolli priti legjendën e futbollit Franc Beckenbauer

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në takim legjendën e futbollit, z. Franc Beckenbauer, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, me të cilin zhvilloi një bisedë të gjatë dhe miqësore.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Memli Krasniqi.

Presidenti Pacolli e falënderoi z. Beckenbauer për vizitën në Kosovë, ku ai është i njohur si legjendë e futbollit gjerman dhe botëror, por edhe si një përkrahës i madh i sportit dhe sportistëve kosovarë.

Ai kërkoi nga legjenda Beckenbauer që të bëjë çka do që është në mundësitë e tij që të ndihmojë në ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës, sidomos të futbollit, për ta bërë futbollin e Kosovës pjesë të UEFA-s dhe të FIFA-s.

“Vendi ynë, Kosova, ka fat të madh që ka një popull me një rini të shëndoshë e të talentuar si potencialin më të fuqishëm të saj. Të rinjtë tanë kanë dëshmuar aftësi të rralla çdoherë kur u është dhënë mundësia dhe hapësira e veprimit, sidomos në aktivitete sportive”, tha Presidenti Pacolli, duke përkujtuar se Kosova ka një popullatë të re dhe të mrekullueshme, ku mbi 50 për qind e qytetarëve janë nën moshën 25 vjeçare.

“Sporti nuk njeh dallime politike. Sporti nuk njeh urrejtje, sporti nuk njeh politika. Kosova duhet të përfaqësohet si shtet dhe të jetë pjesë e aktiviteteve sportive ndërkombëtare, në të gjitha disiplinat. Kosova e meriton këtë, rinia e Kosovës e meriton këtë, sportistët e Kosovës e meritojnë këtë”, shtoi Presidenti Pacolli.

Unë dua t’i garantoj qytetarët e Kosovës, se do të vazhdoj të jem shumë i përkushtuar që sporti i Kosovës të zhvillohet me hapa të shpejtë për të marrë pjesë në kompeticione ndërkombëtare, ku me dinjitet do të përfaqësohet edhe Kosova. Do të punoj ngushtë me gjithë përfaqësuesit institucional të Kosovës që janë kompetent për avancimin e sportit në Kosovë, në mënyrë që sporti i Kosovës të avancohet, sporti i Kosovës të njihet për atë që meriton, sporti i Kosovës të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare, tha Presidenti Pacolli.

“Sporti është imazhi i një vendi. Ne duam ta ngrisim imazhin tonë. Kemi shansin këtë ta ngrisim me rininë e Kosovës, me njerëzit e Kosovës, me sportin e Kosovës. Mos harroni se Kosova e ka këtë potencial. Ne sot, me të rinjtë tanë, me sportistët tanë, kemi ngritur flamujt e shumë shteteve anembanë botës dhe ka ardhur koha që të ngrisim flamurin e shtetit tonë, flamurin e Kosovës”, tha Presidenti Pacolli.

Ai gjithashtu përmendi një varg sportistësh shqiptarë, shumë të suksesshëm në botë, sidomos në sferën e futbollit, me të cilët krenohet Kosova, por edhe shtetet në të cilat ata i zhvillojnë aktivitetet e tyre.

“Ne meritojmë një shans për të qenë pjesë e integruar e aktiviteteve ndërkombëtare sportive. E meritojmë këtë, sepse historikisht e kemi dëshmuar. Kemi dëshmuar atëherë kur populli ynë përjetonte tragjedi të madhe, e dëshmojmë edhe tani. Sportistët e Kosovës nuk duhet të jenë të vetmuar dhe kërkojmë ndihmën e madhe nga miqtë e Kosovës, kërkojmë ndihmën e madhe nga miqtë e sportit, kërkojmë ndihmën nga njerëzit e paqes. Sporti nuk njeh diskriminime, sporti nuk është i politizuar, sporti nuk njeh hidhërime dhe sporti është një krijues i paqes. Z.Beckenbauer është një njeri i paqes dhe ne i drejtohemi atij që t’i ndihmojë Kosovës, të ndihmojë sportin e Kosovës”, tha ndër të tjera Presidenti Pacolli.

Nga ana e tij, z. Franc Beckenbauer, pasi ka uruar Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e tij në krye të vendit, ka thënë se ndihet i nderuar që viziton Kosovën, për herë të parë.

Ai tha se nuk është një politikan por një sportist dhe që është i njoftuar me zhvillimet në Kosovë në të kaluarën dhe në të tashmen.

Ndërlidhur me kërkesën për anëtarësimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA, z.Beckenbauer theksoi se në një takim të kësaj organizate, është vendosur që çështja të kalojë për trajtim së pari në UEFA, ndërsa nga ana e tij ai do të bëjë gjithë çka është e mundshme që të ndihmojë sportin e Kosovës që të ecë përpara drejt ndërkombëtarizimit.

Pas takimit në kabinetin e Presidentit, z.Beckenbauer ka takuar edhe udhëheqësit e sportit të Kosovës.

Gjithashtu, Presidenti Pacolli ka shtruar një drekë për nder të vizitës së z z.Beckenbauer, në të cilën kanë qenë të pranishëm ambasadorë të huaj të akredituar në Kosovë, përfaqësues të Qeverisë dhe përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës e federatave të tjera.