Presidenti Pacolli pranon detyrën nga ish-U.D. i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi

Në kabinetin e Presidentit të Republikës, sot është zhvilluar ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës nga ish-Ushtruesi i Detyrës së Presidentit, dr. Jakup Krasniqi, te Presidenti i zgjedhur i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

Në takim, z.Krasniqi i uroi detyrën dhe sukses në kryerjen e saj Presidentit Pacolli. Ndërsa, z.Pacolli tha se me z.Krasniqi, si kryetar i Kuvendit, do të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm, në interes të ndërtimit të një shteti të sinqertë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
 
“Sot ishte një fillim shumë i mirë, i mbarë i ditës së punës. Me z.Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen”, u shpreh Presidenti Pacolli, duke folur për media, pas takimit.
 
“Kuvendi i Kosovës, me votat e veta, i ka dhënë besimin z.Pacolli për të qenë President i Kosovës dhe unë jam sot këtu për t’ia uruar detyrën. Pushtetet janë të ndara dhe ne do t’i kryejmë detyrat tamam ashtu siç e jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet me të cilat punojnë dy institucionet”, theksoi ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Jakup Krasniqi.