Presidenti kujton të pagjeturit në prag të ndërrimit të moteve

Prishtinë, 30 dhjetor 2017 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me përfaqësuesit e familjeve të të pagjeturve, në prag të Vitit të Ri kanë bërë nderime te Memoriali i të Pagjeturve në hapësirën e Kuvendit të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se nuk ka fjalë që mund të shpreh dhimbjen që ndjejmë në momente si kjo, në kohën e ndërrimit të moteve.

“Plaga të cilën e mbani ju është plaga më e rëndë që nga paslufta. E tëra që mund të bëjmë ne është që të mundohemi të gjithë bashkërisht, të gjitha institucionet, Presidenca, Qeveria, Kuvendi, institucionet lokale, që ta bëjmë këtë dhimbje më të lehtë”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit ka thënë se personalisht me të gjithë bartësit e institucioneve po angazhohet që të përmbyllet kjo çështje sa më parë që është e mundur.

“Edhe sot para familjarëve këtu zotohem se do të punojë që çështja e të pagjeturve të diskutohet në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe në kuadër të dialogut në Bruksel. Kjo plagë duhet të mbyllet njëherë e përgjithmonë, prandaj jemi këtu të gjithë së bashku që të përkujtojmë edhe njëherë të gjithë të pagjeturit dhe t’u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve relevante ndërkombëtare që të punojnë maksimalisht, t’i bindin edhe autoritetet në Beograd që të punojnë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se çdo familje ka dhimbje dhe këtë dhimbje do të mundohemi bashkërisht si institucione, si shoqëri, ta bëjmë më të lehtë.