Presidenti: Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin do të jetë i pavarur, i paanshëm dhe gjithëpërfshirës

Prishtinë, 1 mars 2017 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mbajtur takimin e dytë konsultativ me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mjeteve të informimit për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Presidenti Thaçi theksoi se është e nevojshme gatishmëria e të gjithëve për të punuar së bashku për këtë nismë shumë të rëndësishme për Kosovën, për shoqërinë kosovare dhe për të ardhmen tonë.

“Shoqëria civile dhe mediat do të kenë rol thelbësor në këtë komision, prandaj është e rëndësishme që ju të jeni pjesë e projektit që nga fillimi, së pari duke kontribuar me idetë tuaja e pastaj edhe me angazhimin tuaj të drejtpërdrejtë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se kemi ngritur institucione e infrastrukturë të mirë dhe pothuajse kemi zhdukur gjurmët fizike të luftës, por dhembja jonë për humbjet e shkaktuara, për më të dashurit tanë që janë vrarë apo zhdukur, nuk janë zhdukur.

“Shoqëria kosovare nuk mund të ndërtojë të ardhme më të mirë nëse mbetet peng i të kaluarës, prandaj edhe e kam marrë këtë iniciativë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi e ka shtjelluar idenë e tij, duke thënë se synimi i parë i këtij komisioni do të jetë e vërteta.

“Puna e komisionit mund vetëm të ndihmojë drejtësinë. Pranimi i së vërtetës është thelbësor edhe për drejtësinë. Pra, nuk bëhet fjalë për shlyerjen e krimit. Dhe as nuk do të lejohet që dikush të fshihet pas padijes, gënjeshtrës, heshtjes apo fshehjes së krimit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Sipas tij, ky forum do të krijojë një mekanizëm mbështetës për dialogun e brendshëm të hapur në mes komuniteteve në Kosovë dhe nuk do të jetë zëvendësim i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që duhet të sjell pajtimin në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ai është një proces tjetër, i ndarë prej këtij që po nisim këtu. Por, ky proces këtu, e vërteta dhe pajtimi në Kosovë, do të jetë ndihmues për arritjen e marrëveshjeve të reja dhe për pajtim ndërshtetëror në mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për rekomandimet e përgjithshme të takimit të parë konsultativ për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Veçoritë e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin do të jenë:

1). I pavarur - të jetë i lirë nga politika dhe të mos ndikohet nga interesat politike;

2). Të jetë i paanshëm - të tregojë të vërtetën e gjitha viktimave nga të gjitha palët;

3). Të jetë transparent - komisioni është i qytetarëve të Kosovës dhe do t’u raportojë qytetarëve të Kosovës;

4). Të jetë gjithëpërfshirës – të përfshijë në punën e vet të gjitha komunitetet dhe të gjitha rajonet e Kosovës, por edhe raportet dhe rekomandimet të jenë për të gjithë ata që kanë apo mund të kenë rol në këtë proces;

5). Të jetë i përkushtuar se do të mbrojë viktimat dhe dëshmitarët dhe të përfshijë të gjitha dëshmitë e të gjitha viktimave;

6). Të jetë komplementar dhe të nxjerrë mësime nga përvojat dhe iniciativat e mëparshme, të parashoh dhe të rekomandojë;

7). Shoqëria civile të ketë rol thelbësor në punën e komisionit.

Presidenti Thaçi theksoi se ky komision do të mbledh dëshmi nga të gjitha viktimat me anë të intervistave, hulumtimeve dhe këto intervista do t’i përshtaten kërkesave të vetë viktimave, duke respektuar privatësinë e tyre.

“Komisioni do të organizojë edhe takime publike, programe mediale dhe sesione informative për të promovuar punën, gjetjet dhe rekomandimet e komisionit. Do të themelojë edhe komisione “grassroot” që do të ndihmojnë pajtimin në nivel komunal, si dhe do të sponsorizojë përpilimin e politikave që do të mbështesin implementimin e rekomandimeve të komisionit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti theksoi se është e natyrshme që ky komision do të ballafaqohet edhe me sfida si thyerja e konspiracionit të heshtjes së komuniteteve, fitimi i besimit të viktimave dhe i besimit të të gjitha komuniteteve, këmbëngulja në implementimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të komisionit dhe të tjera.

“Sfidë do të jetë edhe komponentja rajonale pasi ka viktima që jetojnë jashtë Kosovës”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi theksoi se institucionet shtetërore kanë vullnetin institucional e njerëzor që të ndriçojnë të kaluarën dhe të shërojnë plagët e së kaluarës dhe komisioni ka përkrahjen e protagonistëve ndërkombëtarë, veçanërisht të BE-së, të OSBE-së dhe të UNDP-së.