Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti znj. Rosmari Di Carlo, zëvendësndihmëssekretare amerikane e Shtetit

“Republika e Kosovës do t’u jetë përgjithmonë mirënjohëse Sheteve të Bashkuara të Amerikës për rolin e jashtëzakonshëm të tyre në procesin e gjatë dhe të vështirë të çlirimit dhe të pavarësimit të vendit tonë”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot me znj. Rozmeary DiCarlo, zëvendësndihmëssekretare amerikane e Shtetit.

Në këtë takim, në të cilin morën pjesë edhe znj. Tina Kaidanow nga Ambasada e ShBA-ve në Kosovë, dhe z. Skënder Hyseni, ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, u diskutua për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë në mes të dy vendeve.

Zonja DiCarlo edhe një herë ritheksoi përkushtimin e ShBA-ve për ta ndihmuar Republikën e Kosovës dhe zhvillimin e saj të përgjithshëm, ndërsa Presidenti Sejdiu i shprehu asaj falënderimin për rolin e ShBA-ve dhe angazhimin e saj personal për Kosovën.