Presidenti i Parlamentit Evropian priti presidentin Thaçi, flasin për liberalizimin e vizave

Bruksel, 21 qershor 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot në Bruksel nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz.

Presidenti Thaçi e njoftoi Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, për zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë në përkushtimin e Kosovës në rrugën drejt jetësimit të liberalizimit të vizave.

“Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe pret një vendim meritor nga Bashkimi Evropian për punën e bërë nga institucionet e vendit”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit theksoi se Kosova mbetet e angazhuar në konsolidimin e mëtejmë të shtetit, ndërsa e falënderoi presidentin Schulz për angazhimin e tij, të raportueses së BE-së, Tanja Fajon, si dhe të Parlamentit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme dhe për shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Nga ana tjetër, Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, theksoi se liberalizimi i vizave është tema kryesore që preokupon Kosovën në marrëdhëniet e saj me BE-në.

Ai ka shprehur bindjen se për Kosovën do të ketë një vendim meritor për angazhimin e saj në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të pritet edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.