Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy i dërgoi një letër Presidentit Sejdiu

Presidenti i Republikës së Francës, Nicolas Sarkozy i ka dërguar një letër Presidentit të Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, përmes së cilës ai shpreh konsideratat për përparimin e bërë në Republikën e Kosovës, duke theksuar se progresi i ka mundësuar shtetit të Kosovës afirmimin në komunitetin ndërkombëtar.

“Kosova ka kaluar një rrugë të gjatë që nga pavarësia e saj. Përgëzime për progreset e konsiderueshme të arritura më parë dhe njëherit për procesin aktual të decentralizimit, për t’i dhënë secilit komunitet vendin e plotë në jetën publike. E di se mund të mbështetem në ju për vazhdimin e përpjekjeve për të cilat jeni angazhuar”, shkruan Presidenti Sarkozy.

“Këto progrese i kanë mundësuar shtetit tuaj afirmimin në komunitetin ndërkombëtar. Kosova tani është njohur nga një numër i konsiderueshëm i shteteve. Anëtarësimi i saj në institucionet e rëndësishme financiare ndërkombëtare do t’i mundësojë që të veprojë për konsolidimin e ekonomisë së saj”, shkruan Sarkozy.

Konkluzioni i fundit i arritur nga Prishtina për marrëveshjen rreth përcaktimit të kufijve me Shkupin është një lajm i rëndësishëm për të gjithë regjionin. Shtetet e Ballkanit duhet të inspirohen nga ky shembull për të rregulluar mosmarrëveshjet me mirëkuptim dhe të kthehen së bashku nga e ardhmja e tyre e përbashkët evropiane, thekson Presidenti Sarkozy.

Po përmes kësaj letre, Presidenti Sarkozy i përcjell Presidentit Sejdiu urimet më të mira me rastin e ditëlindjes së tij.

Ju lutem pranoni, Zoti President, sigurinë e konsideratës sime më të lartë, përfundon letrën e tij Presidenti Nicolas Sarkozy.