Presidenti Fatmir Sejdiu u nderua me Çmimin “Distinguished Global Leadership” nga Arizona State University (ASU)

Phoenix, Arizona, SHBA, 23 shkurt - Arizona State University (ASU) promovoi për herë të parë ndarjen e Çmimit “Distinguished Global Leadership” (Lidership Global i Dalluar) mbrëmë në ambientet e këtij universiteti në Phoenix, në Arizona të SHBA-së, duke e dhënë këtë çmim për Presidentin e Republikës së Kosovës Prof. Dr.Fatmir Sejdiun. Në një ambient solemn, ku ishin të pranishëm udhëheqës të këtij universiteti, profesorë, studentë, si dhe shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këtë vend, në emër të Universitetit, çmimin e ndau z. Anthony “Bud” Rock, zëvendëspresident i Arizona State University (ASU).

Në arsyetimin për ndarjen e këtij çmimi të lartë për Presidentin Sejdiu, z.Anthony “Bud” Rock,  theksoi ndarja e këtij çmimi vlerëson punën shquar të Presidentit Sejdiu si lider që ka ndihmuar në mirëkuptimin ndërkombëtar dhe ndërkulturor, nëpërmjet kontributeve të tij profesionale dhe që ka demonstruar lidership dhe të arritura të mëdha në nivel kombëtar  e ndërkombëtar.

Ndërsa, z.Steve Batalden, profesor i Departamentit të Historisë dhe drejtor i Qendrës Melikian në ASU, duke folur lidhur me personalitetin e Presidentit Sejdiu,  ndër të tjera theksoi se Presidenti Sejdiu u dëshmua si një lider i fuqishëm, veçmas për qasjen në procesin e shtetformimit të Kosovës.

Në një fjalë mbajtur me këtë rast, Presidenti Sejdiu ka falënderuar SHBA-të për ndihmën që kanë dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për ndërtimin, zhvillimin e përkrahjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Arizona State University, Presidenti Sejdiu zhvilloi një takim të veçantë me udhëheqjen e këtij institucioni, me të cilët bisedoi për vazhdimësinë dhe  zgjerimin e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës dhe institucionet kosovare, për shkëmbimin e studentëve dhe të kuadrit akademik dhe për realizimin e projekteve në fusha të ndryshme me interes. Presidenti Sejdiu, në këtë kuadër, u njoftua se në ASU, përpos të tjerash, ka filluar së realizuari edhe programi për studimet e gjuhës shqipe.

Ndërsa në vizitën që i bëri “College of Liberal Arts and Sciences”, në School of Public Affairs, Presidenti Sejdiu mbajti një takim me profesorë të  këtij fakulteti, me ç’rast, krahas trajtimit të kontributit të ASU për edukimin në Kosovë dhe perspektivës së zgjerimit të bashkëpunimit, foli edhe lidhur me zhvillimet politike, ekonomike e sociale në Kosovë, duke iu përgjigjur kështu interesimit të stafit akademik të këtij universiteti. Presidenti Sejdiu veçoi kontributin e madh që kanë dhënë dhe po japin SHBA-të në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës, në zhvillimin ekonomik të saj, në fushën e sigurisë,  veçmas  në  ndërtimin e  Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se për këtë populli i Kosovës i mbetet thellësisht mirënjohës SHBA-ve.

Presidenti Sejdiu, po ashtu, u takua edhe me një grup studentësh kosovarë që aktualisht janë duke ndjekur programin e studimeve master  në ASU.

Gjatë qëndrimit në Arizona, Presidenti Sejdiu u nderua edhe me mirënjohje nga organizata “Shqipja e Arizonës” për kontributin e dhënë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, si dhe mbështetjen e  përhershme për komunitetin shqiptaro-amerikan. Në takimin e përzemërt me shqiptarët në Arizona, Presidenti Sejdiu shkëmbeu mendime lidhur me punën dhe qëndrimin e tyre në këtë vend.

Të martën në mëngjes Presidenti Sejdiu  ka udhëtuar për në Washington DC, ku gjatë javës do të ketë një varg takimesh me zyrtarë të lartë të shtetit, ndërsa më pastaj, Presidenti do të qëndrojë edhe në Nju-Jork ku do të ketë takime me përfaqësues të vendeve të ndryshme në OKB.

P.S.: Fjalimin e plotë të Presidentit Sejdiu ua kemi përcjellë më herët.