Presidenti Behgjet Pacolli priti ambasadoren e Turqisë, Songul Ozan

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në një takim ambasadoren e Republikës së Turqisë në vendin tonë, zonjën Songul Ozan, e cila e uroi për detyrën e re si dhe i dorëzoi urimin që Presidentit Pacolli ia ka dërguar Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl.

Pasi theksoi se Kosova dhe Turqia janë dy vende mike dhe me marrëdhënie shumë të mira mes veti, Presidenti Pacolli falënderoi ambasadoren Ozan për punën e saj dhe kontributin e çmueshëm dhe në vazhdimësi të Turqisë për vendin tonë.

“Kontributi i madh i Turqisë gjatë periudhës së shtetbërjes së Kosovës ka qenë i një rëndësie të veçantë dhe shumë të madhe”, tha Presidenti Pacolli.

Ai gjithashtu përkujtoi faktin se Turqia ka qenë ndër shtetet e para që e ka njohur Republikën e Kosovës, si dhe ka kontribuuar dhe vazhdon të kontribuojë në sigurimin e njohjeve të reja për vendin tonë.

Presidenti Pacolli theksoi se Kosova duhet të mësojë sa më shumë nga eksperiencat e Turqisë, ndërsa një theks të veçantë e vuri te bashkëpunimi ekonomik mes të dy vendeve, bashkëpunim ky që duhet të intensifikohet, duke krijuar mundësi më të mëdha për investime të investitorëve nga Turqia në Kosovë.

“Do të hapim dyert edhe më shumë për biznesin turk. Jemi një vend i vogël, vend në tranzicion, që ka nevojë për këshilla, për ndihmë logjistike, pasi Turqia ka një traditë të gjatë të shtetbërjes”, theksoi Presidenti Pacolli.

Nga ana e saj, Ambasadorja Ozan, pasi përkujtoi lidhjet shumë të forta dhe bashkëpunimin shumë të mirë mes Turqisë dhe Kosovës, u shpreh se këto lidhje dhe ky bashkëpunim do të vazhdojnë dhe do të thellohen edhe më tutje, duke qenë edhe një faktor i rëndësishëm i zhvillimit dhe stabilitetit në rajon.

“E mbështesim pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës dhe synimin e saj për integrime euroatlantike”, theksoi Ambasadorja Ozan.

Duke folur për përkrahjen që Turqia i jep Kosovës, Ambasadorja Ozan tha se kjo përkrahje përfshin të gjitha fushat, që nga prezenca e ushtarëve turq në Kosovë, prezenca e policëve në kuadër të misionit ndërkombëtar këtu, si dhe në shumë sfera të tjera.

“Institucionet e Turqisë janë të gatshme që të japin të gjithë eksperiencën e tyre për zhvillimin e Republikës së Kosovës”, tha Ambasadorja Ozan.

Duke përkujtuar se ndërmarrje të fuqishme të Turqisë janë prezentë në Kosovë, si në ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar, në Aeroportin e Prishtinës e të tjera, Ambasadorja Ozan theksoi biznesmenët e vendit të saj janë shumë të interesuar që të investojnë në Kosovë.