Presidenti: Barazia gjinore është vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë

Prishtinë, 19 dhjetor 2017 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën “Përmirësimi i Llogaridhënies Institucionale për Zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore“, të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

I pari i vendit ka thënë se përparimi i të drejtave të gruas dhe arritja e barazisë mes grave e burrave është çështje e të drejtave të njeriut, vlera mbi të cilat ne kemi shpallur dhe ndërtuar shtetin tonë.

“Këto vlera janë të përjetësuara në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku populli i Kosovës është i vendosur të ndërtojë një shtet të qytetarëve të barabartë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se barazia gjinore nuk është diçka e sajuar nga dëshira, por e sanksionuar në akte të ndryshme ligjore.

“Në kohën kur isha Kryeministër i Republikës së Kosovës, kam marrë iniciativën që të drejtat e njeriut të avancohen edhe me ligje të ndryshme, të cilat i bëjnë nder Republikës së Kosovës. Gjatë kësaj kohe, janë hartuar dhe më pas edhe miratuar nga Kuvendi tri ligjet bazike: Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligji për Barazi Gjinore dhe Ligji për Avokatin e Popullit”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se këto ligje kanë arritur që të garantojnë, promovojnë dhe avancojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës, në pajtim me vlerat kushtetuese dhe me marrëveshjet e instrumentet ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi ka pohuar se këto instrumente janë pjesë e zbatimit direkt të Kushtetutës, si dhe përbëjnë përputhshmëri të plotë të kësaj fushe me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Kreu i shtetit ka thënë se këto ligje, duke specifikuar veçanërisht Ligjin për Barazi Gjinore, paraqesin një rezultat të theksuar në drejtim të arritjes së barazisë gjinore dhe promovimit e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në mënyrë më gjithëpërfshirëse në Kosovë.

“Ligji për Barazi Gjinore ka për qëllim arritjen e barazisë gjinore dhe synimin që pjesëtarëve të gjinisë së caktuar t'u mundësohet pjesëmarrje e barabartë në të gjitha fushat e jetës shoqërore, të mënjanohet pabarazia gjinore faktike dhe t'u sigurohen të drejta, të cilat më herët nuk iu kanë takuar”, theksoi presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se është obligim i të gjithë qytetarëve dhe institucioneve në Republikën e Kosovës që të bëjnë zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore, i cili në pajtim me standardet dhe praktikat e aplikueshme ndërkombëtare duhet të sigurojë barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat e tjera të jetës shoqërore.

Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike, presidenti Thaçi ka thënë se arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.