Pierre Lellouche: Franca do t’i inkurajojë shtetet ta njohin pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti z. Pierre Lellouche, Sekretar i Shtetit Francez për Çështje Evropiane, të cilin e falënderoi, në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme që Republika Franceze i ka dhënë dhe po i jep Kosovës.

“Si gjithmonë, ne shprehëm falënderimet tona të thella për mbështetjen e fuqishme që Franca i ka dhënë Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të vendit. Unë mund të them se Franca, bashkë me vendet kyçe të Bashkimit Evropian, ka qenë dhe mbetet pjesë e zhvillimeve tona historike”, tha Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu, më tej, ritheksoi qëndrimin e institucioneve të vendit se Kosova do të jetë atdhe i barabartë i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim etnie, duke ripërsëritur se “vizioni ynë është të lëvizim sa më shpejt drejt integrimeve euroatlantike”.

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu e njoftoi z. Pierre Lellouche me zhvillimet e përgjithshme dhe të arriturat e Republikës së Kosovës, në kuptimin e zhvillimit ekonomik të vendit, të bashkëpunimeve bilaterale dhe për synimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të pasur bashkëpunim shumë të mirë, në radhë të parë me shtetet fqinje, pra edhe me Republikën e Serbisë.

“E njoftova z. Lellouche për zhvillimet pozitive që i kemi në kuptimin e zhvillimit ekonomik të vendit, të bashkëpunimeve bilaterale me vendet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, deri tani 69, interesin tonë që të kemi bashkëpunim shumë të mirë në radhë të parë me shtetet fqinje, pra, edhe me Republikën e Serbisë nesër dhe të bisedojmë për të gjitha çështjet që janë në interes të qytetarëve të dy vendeve sovrane”, tha Presidenti Sejdiu.

Duke e rikomentuar lajmin e ditës së djeshme për mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Presidenti Sejdiu theksoi: “Ishte një lajm i mirë i përbashkët dhe vërtet ishte një ditë e bekueme për Kosovën, pra, mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare, është mendim që është mbështetur në argumentet e fuqishme që ka dorëzuar mes tjerash edhe Republika Franceze. Ligjshmëria e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mbështetja e saj e fuqishme në parimet e lirisë njerëzore, që ka qenë parim themelor edhe i vetë Francës, do të jetë motoja e ecjes sonë për të respektuar lirinë e secilit njeri të Kosovës”.

Ndërkaq,  z. Pierre Lellouche, Sekretar i Shtetit Francez për Çështje Evropiane, pasi që shprehu kënaqësinë e tij që ndodhej në vendin tonë në këtë fazë të re të historisë së Kosovës, theksoi se pas mendimit këshilldhënës të autoritetit më të lartë të drejtësisë  ndërkombëtare, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të dhënë dje, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelë të drejtën ndërkombëtare dhe është bërë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe konform Rezolutës 1244, Franca do t’i inkurajojë edhe shtetet e tjera, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e  Kosovës që ta bëjnë këtë sa më parë.

“Ne do t’i inkurajojmë edhe shtetet e tjera, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e  Kosovës që ta bëjnë këtë sa më parë. Do të punojmë së bashku për fazën e re politike të pajtimit në mes të Kosovës dhe të Serbisë”, theksoi z. Pierre Lellouche.

Ne, vijoi z. Pierre Lellouche, së bashku me vendet e tjera të Bashkimit Evropian kemi kontribuar gjatë luftës në ish-Jugosllavi dhe vazhdojmë të kontribuojmë, me prezencën e ushtarakëve dhe në fusha të tjera, për paqen e cila është e domosdoshme në këtë rajon dhe për stabilizimin e këtij rajoni.

Po ashtu, ai theksoi se nuk është rastësi që ndodhej në Kosovë, pikërisht në këtë kohë, pas vendimit të GJND-së, vendim ky i cili do të ndikojë shumë në raportet e Francës me Kosovën, dhe se gjatë kësaj vizite ai do të takojë edhe pjesëtarë të komuniteteve në Graçanicë.