Për Kosovën vendosin institucionet e Prishtinës 

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë theksuar sot se institucionet legjitime të Republikës së Kosovës janë ato që marrin vendime për Prishtinën.

Ata i kanë bërë këto komente pas takimit me shefin e EULEX-it, Iv de Kermabo, në të cilin temë diskutimi kanë qenë protokollet e bashkëpunimit ndërpolicor me Serbinë, të propozuar nga EULEX-i.
Kishim një takim në kuadër të takimeve të rregullta, me udhëheqësin e EULEX-it në Kosovë, z.Iv de Kermabo, me të cilin biseduam për shumë procese të rëndësishme nëpër të cilat kalon Kosova, dhe natyrisht në bashkëpunimet  e veçanta që i kemi me EULEX-in si mbështetje të institucioneve të Republikës për të realizuar pritjet e qytetarëve tanë dhe bërjen e Kosovës një vend të demokracisë së avancuar, një vend për të gjithë qytetarët pa dallim etnie dhe në këtë kuadër ne shprehëm qëndrimin tonë se Republika e Kosovës bashkëpunimin e saj rajonal në të gjitha fushat e ka deklaruar si një politikë e cila reflektohet në të gjitha dokumentet kryesore të vendit, theksoi pas takimit Presidenti Sejdiu.
Ne, vijoi ai, mirëpresim dhe për më tepër insistojmë në përfshirjen e Kosovës në të gjitha nismat rajonale të bashkëpunimit. Në këtë kuadër Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë fqinjët në fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe atë kundër krimit të organizuar dhe të aktivitetit kriminal tejkufitar. Për këtë qëllim ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me EULEX-in, ICO-n dhe në përgjithësi me praninë ndërkombëtare në Kosovë për të gjetur format më efikase të bashkëpunimit rajonal, gjithnjë duke pasur parasysh interesat jetike të Kosovës dhe duke ruajtur sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe autoritetin e institucioneve të republikës së Kosovës.
“Bashkë me kryeministrin dhe ministrin e jashtëm ne kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm edhe me z.Kermabo edhe me z.Piter Feit dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në periudhat e ardhshme, që është interes i përbashkët i Kosovë dhe i gjithë mbështetësve të Kosovës për të nxitur hapat dhe lëvizjet tona në proceset e rëndësishme të integrimeve euroatlantike, atë që e kemi vizion të përhershëm dhe të pashkëputshëm si vend”, tha Presidenti Sejdiu.
“Një nga çështjet që u bisedua është edhe e një dokumenti, me karakter protokolli, për të cilin natyrisht se kemi qëndrime të ndryshme. Qëndrimi ynë është i qartë, do të vazhdojmë bashkëpunimin shumë të thellë në të gjitha proceset, por gjithmonë duke qenë të zotuar në zbatimin e asaj që Kosova ka arritur, shtet sovran dhe i pavarur, duke zbatuar kushtetutën dhe ligjet e saj, natyrisht me një mbështetje të rëndësishme ndërkombëtare”, tha Presidenti Sejdiu, i pyetur në lidhje me protokollet e bashkëpunimet. “Absolutisht nuk mendojmë që mund të ketë ide që dikush mendon të instrumentalizojë apo të mbajë gjallë strukturat paralele, të cilat realisht janë edhe në dëm të vet komunitetit serb, sepse e mbajnë peng në iluzione për proceset që kemi kapërcyer, por do të japim ofertën më të mirë të mundshme të zhvillimit të Kosovës, të proceseve integruese edhe me atë pjesë të qytetarëve që ende e mbajnë pezull veten e tyre dhe të ecim me një bashkëpunim për të ardhmen e përbashkët”, tha ai.
Nga ana e tij, kryeministri Hashim Thaçi tha se institucionet e Republikës së Kosovës edhe një herë rikonfirmuan gatishmërinë e plotë të respektimit të plotë te Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të dokumentit të Presidentit Ahtisari, për bashkëpunim me të gjitha vendet e rajonit, një bashkëpunim ky që është në interes të paqes dhe stabilitetit, bashkëpunimit rajonal dhe perspektives evropiane.
Ne gjithashtu do të punojmë me përfaqësuesit e EULEX-it dhe ICO-s, duke vlerësuar këshillat dhe rekomandimet. Në të njëjtën kohë ne do të jemi pjesë e të gjitha përkushtimeve pozitive rajonale, duke marrë vendime si institucione të Republikës së Kosovës, duke respektuar plotësisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke respektuar plotësisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë me përkushtimet tona, si institucione të vendit në të njëjtën kohë duke vazhduar edhe bashkëpunimin e ngushtë edhe me EULEX-in, ICO-në dhe me gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë në Kosovë, tha Thaçi, duke e quajtur takimin e sotëm si një takim dobiprurës dhe mirësqarues.
“Ne që nga fillimi kemi qenë për një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha vendet fqinje edhe me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi të cilat edhe e kanë njohur shtetin e pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës. Në këtë drejtim ka pasur lëvizje përpara. Këto raporte janë të shkëlqyeshme. Natyrisht vullneti i Republikës së Kosovës ka qenë që të kemi raporte të mira edhe me shtetin fqinj Serbinë, ai vullnet i Beogradit ka munguar dhe mungon edhe sot. Në asnjë rrethanë Beogradit nuk do t’i jepet hapësirë e as autoritet në territorin e Republikës së Kosovës përmes asnjë mekanizmi qoftë ai vendor apo ndërkombëtarë”, theksoi Thaçi.
“Vendimet për Prishtinën  i marrin institucionet e Republikës së Kosovës dhe këtu duhet bërë dallimin. Ideja që ka dalë nga EULEX-i për raportin e ri me Beogradin dhe bashkëpunimi që e kemi këtu në Prishtinë. Prandaj e përmendi edhe Presidenti, qëndrimi i Republikës së Kosovës, qëndrimi i Prishtinës është mjaft i qartë. Institucionet legjitime të Republikës së Kosovës janë ato që marrin vendime për Prishtinën”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.
Ndërkaq shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo tha se ky ishte takimi i parë dhe, përkundër qëndrimeve të kundërta, ai tha se do të vazhdoj të jetë në kërkim të arritjes së përafrimeve edhe me Prishtinën.
“EULEX-i nuk mundet dhe nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje protokollare në emër të Kosovës”, tha Iv de Kermabo. Ai tha po ashtu se dëshironte t’i siguronte kosovarët se kjo marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë nuk ka të bëjë me planin 6-pikësh të Kombeve të Bashkuara, i cili është refuzuar tashmë nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ky protokoll, sipas tij, do të ndihmojë luftimin e krimit dhe kontrabandës dhe ka të bëjë me bashkëpunimin ndërmjet EULEX-it dhe policisë së Serbisë.