Pavarësia e Kosovës e ka stabilizuar rajonin

Delegacioni më i lartë shtetëror i Republikës së Kosovës, i përbërë nga dr.Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministër dhe Skender Hyseni, Ministër i Punëve të Jashtme, si dhe i ngarkuari me punë i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, në kuadër të vizitës në SHBA, ka zhvilluar një varg takimesh përfaqësues të lartë diplomatikë të shteteve të ndryshme në SHBA.

Të mërkurën,  në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Uashington, delegacioni i Republikës së Kosovës zhvilloi bisedime me përfaqësues diplomatikë të Katarit, Ruandës, Republikës së Gabonit, Bahreinit, Francës, Japonisë, Papa New Guineas, Fixhit, Arabisë Saudite, Malajzisë, Barbadosit, Vatikanit, Republikës Çeke, Haitit, etj.

Në takime udhëheqësit më të lartë të Kosovës, në krye me Presidentin Sejdiu, i njoftuan bashkëbiseduesit për zhvillimet më të reja në Republikën e Kosovës dhe hapat e rëndësishëm që janë bërë në ndërtimin e shtetit të Kosovës një vit pas shpalljes së pavarësisë. Ata theksuan se Kosova gjatë një viti bëri hapa të rëndësishëm në të gjitha fushat, ndërsa ritheksuan se pavarësia e Kosovës e ka stabilizuar rajonin.

Ata gjithashtu pohuan se njohjet e reja do të jenë kontribut në thellimin e mëtejmë të këtyre proceseve, si dhe fuqizimin e pozitës së Kosovës si një partner i rëndësishëm i paqes dhe i progresit në rajon dhe më gjerë. Është e rëndësishme se pavarësia e Kosovës ka ardhur si rezultat i koordinimit dhe bashkëpunimit të ngushtë të popullit dhe institucioneve të Kosovës me faktorin ndërkombëtar, ndërsa Kosova e pavarur do të vazhdojë me promovimin e politikës së saj të paqes dhe të bashkëpunimit me të gjitha vendet e në veçanti më fqinjët dhe vendet e rajonit, duke synuar integrimet euroatlantike, u tha në këto takime.

Udhëheqësit e Kosovës kërkuan nga përfaqësuesit e vendeve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës që qeveritë e tyre ta marrin në konsideratë sa më parë këtë hap, që do të jetë mbështetje e vlerave liridashëse të një populli dhe kontribut paqes dhe stabilitetit, për të cilin zotohen institucionet dhe populli i Kosovës. Përfaqësuesit e vendeve me të cilët u takuan udhëheqësit e Republikës së Kosovës shfaqën interesim për aspekte të ndryshme të zhvillimeve në Kosovë, duke konfirmuar interesimin për të vazhduar kontaktet edhe në të ardhmen.

Në funksion të njohjeve të reja nga vendet tjera, nga përfaqësuesit e vendeve që tashmë e kanë njohur dhe e mbështesin Kosovën, u kërkua përkrahja e mëtejme për promovimin e vlerave shtetërore dhe politike që po ndërton Kosova.

Delegacioni i Kosovës në Uashington mbrëmë mori pjesë në shënimin e njëvjetorit të Pavarësisë të organizuar nga Ambasada e Kosovës në SHBA, ndërsa gjatë ditës do të ketë takime të veçanta me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, me nënkryetarin Bajden dhe sekretaren e Shtetit Klinton.