Parlamenti Evropian vëzhgon zgjedhjet e 12 dhjetorit në Kosovë

Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, në një letër dërguar dr. Jakup Krasniqit, Ushtrues i Detyrës së Presidentit të Kosovës, ka konfirmuar se ky institucion do të vëzhgojë zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, që mbahen të dielën.

Duke iu përgjigjur ftesës që z.Krasniqi i ka bërë përmes një letre, më 4 nëntor 2010, Parlamentit Evropian për të vëzhguar zgjedhjet e përgjithshme në vendin tonë, z.Buzek e njofton Ushtruesin e Detyrës së Presidentit të Kosovës se Parlamenti Evropian ka vendosur të dërgojë një delegacion shtatanëtarësh për të vëzhguar këto zgjedhje. Ai gjithashtu thekson se anëtarët e delegacionit do të emërohen nga grupet politike në Parlamentin Evropian.

“Republika e Kosovës është një partner i rëndësishëm i BE-së në Ballkanin Perëndimor, dhe Parlamenti Evropian i jep rëndësi të madhe mbështetjes dhe forcimit të demokracisë në vendin tuaj”, shkruan Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek.