Pacolli: Franca është mike e madhe e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në një takim ambasadorin e Francës në Prishtinë, zotin Jean François Fitou, me të cilin zhvilloi një bisedë të gjatë dhe miqësore.

Duke pranuar urimet e Ambasadorit Fitou dhe institucioneve të Francës për zgjedhjen në detyrën e re, Presidenti Pacolli theksoi se “Franca është mike e madhe e Kosovës dhe ambasadori Fitou gjithashtu është mik i madh i Kosovës”.

Ai theksoi se Kosova ka nevojë për shumë miq, të cilët Kosova do të dijë t’i respektojë dhe do të krijojë edhe miq të tjerë anembanë globit.

Presidenti Pacolli vuti theksin tek marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, duke falënderuar Republikën e Francës për ndihmën e saj të pakursyeshme në të kaluarën, e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Neve na nevojitet këshillat e Francës, në mënyrë që të mësojmë nga eksperienca juaj dhe të rrugëtojmë më shpejt drejt shtëpisë së madhe evropiane”, tha Presidenti Pacolli.

Duke përmendur se Kosova ka një gjendje shumë të rëndë ekonomike dhe një shkallë të lartë të papunësisë dhe se asaj i duhet të ketë një rritje të madhe ekonomike, Presidenti Pacolli theksoi se vendi ynë ka nevojë shumë të madhe për zhvillim ekonomik dhe në këtë plan institucionet e Kosovës do të krijojnë një klimë sa më të favorshme për nxitjen e investimeve të huaja.

Nga ana e tij, ambasadori Jean François Fitou tha se Franca është e gëzuar që Kosova krijoi institucionet që do të udhëheqin shtetin.

“Kosova do ta gjejë vendin e saj në Evropë”, tha ambasadori Fitou, duke shtuar se ky realitet duhet të jetësohet, sepse nuk ka rrugëzgjidhje tjetër dhe se Franca është e gatshme t’i ndihmojë Kosovës në realizimin e këtij misioni.