Nikolay Kolev, i dorëzoi Presidentit Sejdiu letrën e njohjes së Republikës së Kosovës nga Bullgaria

Shefi i Zyrës së Bullgarisë në Kosovë, z. Nikolay Kolev, i dorëzoi sot Presidentit Sejdiu letrën e njohjes së Republikës së Kosovës nga Bullgaria, të cilën e ka nënshkruar z. Ivailo Kalfin, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme i Bullgarisë.

Në këtë letër, dërguar Presidentit Sejdiu dhe Kryeministrit Thaçi, z. Kalfin, ndër të tjera, pohon se Këshilli i Ministrave i Republikës së Bullgarisë ka vendosur ta njohë Republikën e Kosovës dhe është pajtuar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve.

“Vendimi i Qeverisë së Bullgarisë bazohet në kuptimin e multietnicitetit dhe të demokracisë në Kosovë në pajtim me Propozimin Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, i cili paraqet zgjidhjen vetme që i kontribuon stabilitetit të qëndrueshëm në rajon.  

Pasi që rikonfirmon gatishmërinë e Bullgarisë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, z. Kalfin vijon: “Ne e mirëpresim hapjen e përfaqësisë së Kosovës në Bullgari dhe planifikojmë që këtë ta bëjmë edhe ne në Kosovë”.
   
“Duke qenë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s dhe pjesë kontribuese e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, Bullgaria do të vazhdojë të jetë e angazhuar në mënyrë aktive, së bashku me partnerët dhe aleatët e saj për stabilitetin në rajon dhe në Kosovë”, shkruan z. Kalfin.