Nënshkruhet “Deklarata e përbashkët e partive politike dhe subjekteve elektorale lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të përgjithshme të 12 dhjetorit 2010”

Në një ceremoni organizuar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, udhëheqësit e partive politike kanë nënshkruar “Deklaratën e përbashkët të partive politike dhe subjekteve elektorale lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të përgjithshme të 12 dhjetorit 2010”.

 “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë gur themeltar i demokracisë. Partitë politike dhe subjektet e tjera elektorale të Republikës së Kosovës pajtohen për respektimin e deklaratës së përbashkët, lidhur me zgjedhjet e përgjithshme më 12 dhjetor 2010. Kjo deklaratë nuk e zëvendëson asnjë rregull ekzistuese dhe në asnjë mënyrë nuk e shfuqizon ligjin në fuqi për zgjedhjet. Partitë, anëtarët dhe kandidatët e tyre solemnisht marrin përsipër dhe i premtojnë njëri-tjetrit dhe popullit të Kosovës se do t’i përmbahen dhe do ta promovojnë aktivisht këtë deklaratë dhe rregullat e përcaktuar me ligj”, thuhet në preambulën e Deklaratës.

Duke folur në këtë ceremoni, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi fillimisht përshëndeti kryetarët e partive politike në Kosovë, përfaqësuesit e subjekteve politike të regjistruara në Komisionin Qendror Zgjedhor, si dhe ambasadorët Dell e Werner, të pranishëm në ceremoni.

“Sot, e kemi një ditë të rëndësishme. Do ta nënshkruajmë të gjithë së bashku me partitë politike dhe subjektet politike që garojnë në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010, një deklaratë e cila është një lloj kodi për zgjedhjet e lira të fshehta dhe demokratike. Jam i bindur që Kosova ka hyrë në një periudhë të rëndësishme të zgjedhjeve dhe kërkoj që të gjitha subjektet politike, të gjithë anëtarët e subjekteve politike që garojnë në zgjedhje por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës që do ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të dalë në zgjedhje këtë kohë që na ka mbetur deri në 12 dhjetor 2010 ta shfrytëzojmë një lloj feste kombëtare për shtetin e ri, demokratik të Kosovës për t’i dhuruar zgjedhje të lira demokratike, për t’i dhuruar zgjedhësit ose përfaqësuesit e popullit që do të dalin nga zgjedhjet e lira e që pastaj do të konstituohen gjithë institucionet demokratike të shtetit të Kosovës”, tha z.Krasniqi

“Sot ne do ta nënshkruajmë këtë deklaratë ku partitë politike, përfaqësuesit e tyre kudo që janë t’i respektojnë kodin e mirësjelljes, për t’i ftuar qytetarët për të dalë në zgjedhjet e lira dhe për të votuar atë kandidat apo atë subjekt politik që mendojnë se do t’i përfaqësojë më së miri dhe më së drejti. Dëshirojmë që rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 12 dhjetorit të jetë vullnet  i qytetarëve të Kosovës dhe jo vullnet i manipuluar i qytetarëve të Kosovës, ky është qëllimi i kësaj deklaratë që do ta nënshkruajmë sot dhe besoj dhe kërkoj që të gjitha partitë politike, të gjitha subjektet politike ta respektojnë”, theksoi Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.



Deklarata e përbashkët e partive politike dhe subjekteve elektorale lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të përgjithshme të  12 dhjetorit 2010

Lista e subjekteve politike nënshkruese të deklaratës së përbashkët për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 12 dhjetorit 2010