Mezashe Urimi të Presidentit Sejdiu për Festën e Bajramit të Madh

Presidenti i Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, ua uroi Ditën e Bajramit të Madh të gjithë qytetarëve dhe besimtarëve të besimit islam të vendit, me dëshirat më të mira për paqe dhe lumturi. Po ashtu, ai i dërgoi një telegram urimi kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim Tërnava.

Në vijim po i japim të dy urimet:

Urimi i Presidentit Sejdiu për festën e Bajramit të Madh
Qytetarë të dashur të Kosovës,


Ju shpreh urimet e mia të përzemërta për festën e Bajramit të Madh, e cila përmbyll muajin e Ramazanit, muajin e sakrificës, të solidaritetit dhe të devotshmërisë ndaj besimit te Zoti.

Dita e Bajramit të Madh është ditë e gëzimit dhe e paqes me njëri-tjetrin, është ditë e mirëkuptimit dhe e tolerancës. Këtë Bajram të Madh po e festojmë si gjithmonë të bashkuar rreth synimit sublim të popullit të Kosovës për liri e pavarësi të plotë të vendit. Gjithashtu, mund të themi se gjatë kësaj kohe të ndjeshme, qytetarët e Kosovës kanë treguar vitalitet dhe pjekuri të jashtëzakonshme në ndërtimin e jetës, të familjes dhe të shtetit tone të pavarur, i cili do të jetë shtet i ligjit, i demokracisë dhe i perspektivës euroatlantike.

Edhe në këtë festë, ne i falënderojmë miqtë tanë kudo në botë, e në rend të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, si dhe vendet e tjera demokratike, që po e mbështesin Kosovën në udhën e saj të shtetkrijimit dhe të integrimit në familjen e kombeve të lira.

Urime! Paqja dhe dashuria qofshin përherë me Ju dhe me familjet Tuaja!

Prishtinë, 11 tetor 2007
Presidenti i Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu 


Urimi i Presidentit Sejdiu për Kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim Tërnava

I nderuari kryetar Tërnava

Me rastin e festës së Bajramit të Madh, ju shpreh përgëzimet e mia më të përzemërta.

Duke e çmuar punën Tuaj për solidaritetin, paqen dhe mirëkuptimin midis nesh, si dhe përkushtimin e përhershëm të institucionit që Ju drejtoni për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ju dëshirojmë shëndet dhe suksese të mëtejme.

Ju shprehim urimet tona më të sinqerta, të bindur në angazhimin tuaj për fjalën e mirë dhe begatinë e vendit.

Urime dhe fat!
   
Prishtinë, 11 tetor 2007
Me respekt,
Presidenti i Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu