Mesazhi i U.D. të Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, me rastin e fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 12 dhjetorit

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dha sot një mesazh me rastin e fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit 2010.

Në mesazh thuhet:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës


Duke iu përgjigjur situatës së krijuar dhe në mbështetje të Kushtetutës, më 2 nëntor 2010 kam shpallur zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 29 subjekte politike elektorale me 1265 kandidatë të tyre për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Nesër, më 1 dhjetor 2010 fillon fushata parazgjedhore e subjekteve politike dhe e kandidatëve të tyre, e cila do të zgjasë dhjetë ditë.

Kosova me këto zgjedhje po hyn edhe njëherë në një sprovë të vështirë demokratike.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë organizohen për herë të parë pas shpalljes së Pavarësisë së saj dhe nga vetë institucionet e pavarura zgjedhore.

Këto zgjedhje po mbahen pas një tradite tashmë të shkëlqyeshme zgjedhore në Kosovë, e cila është vlerësuar lart nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe nga gjithë bota demokratike. Partitë politike dhe zgjedhësit në Kosovë kanë kultivuar dhe  kane demonstruar kulturë të lartë politike e demokratike zgjedhore.

Nga zgjedhjet e kaluara kanë dalë institucione demokratike, me të cilat Kosova ka shënuar zhvillim dhe përparim në të gjitha fushat. Kosova e lirë dhe e pavarur është kthyer në faktor paqeje e stabiliteti, duke gëzuar respekt dhe imazh të mirë anekënd botës.

Rëndësia e këtyre zgjedhjeve është e shumëfishtë. Kosova është krenare  për të arriturat e saj historike, por objektivat e saj të ardhshme janë po ashtu të vështira dhe kërkojnë institucione të qëndrueshme, të afta dhe të guximshme për t’i përballuar sfidat serioze që kemi përpara, siç janë zhvillimi demokratik dhe ekonomik, anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara e në organizmat tjerë ndërkombëtarë, fuqizimi i shtetit të së drejtës si dhe integrimet euroatlantike.

Për të arritur qëllimet e saj të mëdha, Kosovës i duhen institucione të fuqishme përfaqësuese. Është në përgjegjësinë tonë të përbashkët t’i zgjedhim më të mirët për të na përfaqësuar. Por, që të kemi institucione demokratike, edhe zgjedhjet duhet të jenë plotësisht të lira, të ndershme dhe demokratike.

Për një çast e gjithë bota do të kthejë sytë nga ne, për të parë kulturën tonë demokratike, për të parë pjekurinë tonë politike dhe për të parë seriozitetin e një shteti të shpallur dhe të njohur tashmë nga 72 vende, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Imazhin dhe prestigjin e Kosovës, të ndërtuar kohë të gjatë, me përpjekje të vështira e me sakrifica sublime, nuk kemi të drejtë ta cenojmë askush prej nesh, veç e veç, as të gjithë bashkë.

Para pak ditësh subjektet politike elektorale të Republikës së Kosovës miratuan Kodin e Sjelljes për Zgjedhjet e përgjithshme më 12 dhjetor 2010, të cilin kërkoj që ta zbatojnë tërësisht, duke promovuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe një klimë të tolerancës demokratike.

U bëj thirrje të gjitha subjekteve politike që fushatën parazgjedhore ta bëjnë në përputhje me ligjin dhe rregullat në fuqi, duke zhvilluar garë korrekte të programeve dhe ideve, pa nxitur dhe provokuar urrejtje e mosdurim. Një fushatë korrekte dhe demokratike do të na sigurojë votim të qetë e të rregullt dhe përfundim të suksesshëm të gjithë këtij procesi të rëndësishëm zgjedhor.

Kurorëzimi i suksesshëm i zgjedhjeve, i pranueshëm për të gjithë dhe i vlerësuar ndërkombëtarisht, është garanci e ndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve përfaqësuese që do ta çojnë sigurt vendin tonë drejt arritjeve të reja dhe historike.